Shqipëria mbushi një dekadë bashkëpunimi për Reformën Territoriale dhe Administrative, që është një dëshmi e qartë e përpjekjeve kolektive dhe e vizionit të përbashkët të shumë partnerëve.
Me këtë rast, Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor, së bashku me kryetarë bashkish, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor dhe partnerë të zhvillimit ndërkombëtar dhanë në një takim rezultatet e këtyre përpjekjeve.
Prej një dekade, projekti Mbështetja për Reformën Territoriale dhe Administrative në Shqipëri (STAR), një partneritet mes Bashkimit Evropian, Suedisë, Zvicrës, Italisë, USAID-it, Qeverisë së Shqipërisë dhe UNDP-së, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në riformatimin e panoramës administrative të Shqipërisë, duke sjellë një epokë transformimi dhe mundësish.
Projekti ka bashkuar partnerët ndërkombëtarë dhe Qeverinë e Shqipërisë për të përmirësuar qeverisjen vendore, për të përmirësuar shërbimet publike dhe për t’u dhënë zë qytetarëve nëpërmjet reformave inovatore dhe gjithëpërfshirëse.
Projekti STAR ka vendosur gurë të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt zhvillimit, duke lënë një themel të fortë për avancimin e mëtejshëm të qeverisjes vendore.
Në fund të vitit 2022 qeveria shqiptare nënshkroi me BE dhe partnerët ndërkombëtarë projektin STAR3 “Qëndrueshmëria dhe Çuarja Përpara e Reformës së Qeverisjes Vendore”, me fokus forcimin e transparencës dhe angazhimin qytetar në qeverisjen lokale.
Projekti ka tri shtylla kryesore: lidh qeverisjen vendore me angazhimin qytetar, mbështet shërbimet komunale për banorët dhe mundëson institucionet qeveritare të drejtojnë politika dhe të koordinohen në lidhje me qeverisjen vendore./ (28 qershor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.