Rritje e numrit të turistëve edhe në tre muajt e fundit të vitit 2022
Këtë vit Shqipërinë e vizituan 46,8% më shumë turistë të huaj se një vit më parë duke arritur në një total prej 7,1 milionë vizitorësh.
Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT ka një rritje të numrit të vizitorëve të huaj duke shënuar kështu rekordin e të gjithë viteve.
Në muajin nëntor të vitit 2021 Shqipërinë e vizituan 244 061 turistë të huaj ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2022 vendin e vizituan 358 350 turistë të huaj.
Ndërsa për periudhën janar-nëntor 2021 vendin e vizituan 5 421 240 vizitorë të huaj, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2022 vendin e vizituan 7 152 242 vizitorë të huaj ose 31,9% vizitorë më shumë se një vit më parë./ (5 janar)
Turizmi gjallëroi tregtinë me pakicë
Në tremujorin e tretë të këtij viti volumi i tregtisë me pakicë u rrit me 4,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të 2022-shit u rrit me 1,6%.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, në grupin “ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 4,9%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021. Volumi i shitjeve, për grupin “artikuj joushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 4,6%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.
Ndërsa në grupin “tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 3,9%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021.
Sipas INSTAT, në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e tretë 2022 është rritur me 4,8%, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2021.
Ekspertët shpjegojnë se ndikimin kryesor në rritjen e volumit në tregtinë me pakicë e ka dhënë sektori i turizmit./ (4 janar)
UNWTO: Shqipëria destinacioni turistik me performancën më të mirë
Shqipëria është destinacioni turistik me performancën më të mirë në rritjen e fluksit të turistëve me një rritje me 18% krahasuar me vitin 2019 sipas Organizatës Botërore të Turizmit, UNWTO.
Në listën e klasifikimeve të publikuara në fund të nëntorit 2022, Shqipëria kryeson me një rritje prej 18% gjatë nëntë muajve të vitit 2022.
Sipas OBT-së pas Shqipërisë, në renditje vijon St.Marteen me 16% rritje të turizmit në terma fluksesh. Vijon më tej Etiopia, Hondurasi, Andorra, Porto Riko, Republika Domenikane, Kuraçao, Kolumbia, Salvadori dhe Islanda.
Konkretisht, këtë vit u regjistruan rreth katër herë më shumë vizitorë nga Spanja, 97,1% më shumë vizitorë nga Britania e Madhe, rreth tre herë më shumë vizitorë nga Holanda, më shumë se dyfishim i vizitorëve nga Sllovenia apo dyfishim i vizitorëve nga vendet skandinave.
Në prill 2023 Shqipëria do të mikpresë Forumin Global të Turizmit, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit, nën kujdesin e sekretarit të kësaj organizate, Zurab Pololikashvili dhe kryeministrit Edi Rama./ (3 janar)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.