Sulmi i 15 korrikut një agresion shtetëror

Qeveria shqiptare ka vendosur, me efekt të menjëhershëm, ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit.

Më 15 korrik 2022 Shqipëria u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të qeverisë së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “ky vendim vjen si kundërpërgjigje ndaj aktit të sulmit të rëndë kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale, ndonëse ai nuk ia arriti qëllimit.”

“Krahasimisht me objektivat e agresorit, dëmet mund të konsiderohen të vogla, sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim,” theksoi Rama.

Për javë të tëra u punua paralelisht për rivënien e të gjitha sistemeve në punë, qoftë për hetimin e thellë ashtu edhe për gjetjen e agresorit. Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të antiterrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror.

Rama shtoi se “hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkautor i sulmeve të mëparshme kibernetike kundër Izraelit, Arabisë Saudite, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajtit dhe Qipros.”

Qeveria ka informuar aleatët strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat janë ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit kundër Shqipërisë.

Rama tha se ky vendim i është bërë i ditur me një notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, së cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përfshirë personelin e sigurisë.

Sipas tij, kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend.

Rama ka nënvizuar se “dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin tonë nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, po thjeshtë prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit dixhital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike.”/ (8 shtator)

SHBA dhe partnerët në mbështetje të Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu bashkuan thirrjes së kryeministrit Rama që Irani të mbajë përgjegjësi për këtë incident kibernetik të paprecedentë. Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson deklaroi se “SHBA dënon  me forcë sulmin kibernetik të Iranit kundër aleates sonë në NATO, Shqipërisë”, dhe se “do të ndërmarrim hapa të mëtejshme që Irani të mbajë përgjegjësi për veprime që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA dhe përbëjnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike.”

Watson theksoi se “është arritur në përfundimin se ishte qeveria e Iranit ajo që kreu këtë sulm kibernetik të çartur dhe të papërgjegjshëm” dhe se “ajo është përgjegjëse për operacionet pasuese të hakerimit dhe rrjedhjes së informacioneve.”

Shtëpia e Bardhë u bëri thirrje partnerëve dhe aleatëve që të bashkohen për t’i kërkuar llogari aktorëve kibernetikë dashakeqë dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme dixhitale.

Qëndrimet e Shtëpisë së Bardhë i përforcoi edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila deklaroi se “Shqipëria ka jo vetëm mbështetjen, por edhe mbrojtjen e aleatit të saj të madh në rast sulmi.”  

“Duhet të jetë absolutisht e qartë, që kur mikja dhe aleatja jonë Shqipëria është në sulm, SHBA do të ndërmarrin veprime,” deklaroi Kim.

Edhe Britania e Madhe iu bashkua deklaratës së Uashingtonit duke dënuar Iranin për sulmin kibernetik kundër Shqipërisë.

“Veprimet e pamatura të Iranit treguan një shpërfillje të hapur për popullin shqiptar duke kufizuar ashpër aftësinë e tij për të aksesuar shërbimet publike thelbësore. Britania e Madhe po mbështet partnerin tonë të vlefshëm dhe aleaten e NATO-s,” deklaroi ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly./ (7 shtator 2022)

Sulm kibernetik ndaj sistemeve qeveritare

Menjëherë pas sulmit kibernetik u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave.

Nga detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dilnin të paprekura.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) bashkëpunoi ngushtë me partnerët e Microsoft dhe ekspertët e “Jones Group International”.

Pas pesë ditësh e-albania u rikthye në funksion për 1,118 nga 1,225 shërbimet elektronike që ofron për qytetarët.

AKSHI së bashku me skuadrën e Microsoft, DART (Detection and Response Team) dhe partnerët e “Jones Group International”,  vijuan punën me intensitet të plotë duke ju kthyer qytetarëve edhe shërbimet e tjera dhe pas thuajse katër javësh kundërveprimi intensiv ndaj agresionit kibernetik, shërbimet online për qytetarët dhe bizneset janë normalisht të aksesueshme.

Aktualisht, 1,224 nga 1,225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë. Tashmë platforma e-Albania aksesohet dhe nga jashtë territorit të Republikës Shqipërisë dhe mund të aplikohet për 36 shërbimet konsullore./ (5 shtator 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.