Ndryshime në ligjin për burimet e rinovueshme

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë miratoi të mërkurën (5 prill) ndryshimet në ligjin “Për burimet e rinovueshme të energjisë elektrike”.

Sipas këtyre ndryshimeve aplikimet për ndërtimin e parqeve fotovoltaike dhe eolike duhet të përmbajnë që në fazën e parë dëshminë e pasurisë mbi të cilën ndërtohet impianti.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se ndryshimet erdhën pasi u konstatua që aplikimet paraprake janë përdorur për t’u tregtuar nga investitorë privat pa pasur një plan konkret për ndërtimin.

Ajo ka sqaruar se me ndryshimet e propozuara në ligj duhet që dokumentacioni i pasurisë ku do të ndërtohet impianti të paraqitet në fazën fillestare të aplikimit.

Deri sot, aplikimi paraprak nuk kërkonte të kishte dëshmi të pasurisë ku do të ndërtohet impianti, qoftë kjo me qira apo pronësi.

Balluku ka deklaruar se dëshmia e pasurisë në aplikimin paraprak e vendos në kushte të sigurta për avancimin, pasi ka ndodhur që aplikimet paraprake janë bërë pa pasur një plan të vërtetë me qëllim tregtimin.

“Burimet e reja të rinovueshme janë tashmë fushë e konsoliduar, ku nuk mund të bëhen më eksperimente”, deklaroi Balluku për mediet pas mbledhjes së qeverisë./ (5 prill)

Platformë elektronike për monitorimin e energjisë

Qeveria shqiptare ka marrë vendim edhe për ngritjen e platformës elektronike të monitorimit dhe verifikimit të konsumit të energjisë elektrike.

Zëvendëskryeministrja Balluku bëri të ditur se kjo platformë do të jetë në funksion të Agjencisë për Eficiencën e Energjisë Elektrike dhe do të monitorojë konsumin e energjisë elektrike në të gjithë sektorët dhe parametrat e eficiencës së energjisë, ku më pas do të hartohen politika dhe do të merren masa.

“Agjencia për Eficiencën e Energjisë Elektrike pas një periudhe dyvjeçare të funksionimit do të ketë një instrument të ri elektronik që do ta ndihmojë në ndërtimin e planeve, strategjive dhe masave më efikase në këtë sektor”, tha Balluku në një deklaratë për median./ (6 prill)

Park fotovoltaik në Seman

Kërkesa nga kompani të huaja dhe vendase për ndërtimin e parqeve fotovoltaike po rritet.

Gjatë vizitës në kantierin e parkut fotovoltaik “Blue 1”, në Seman të Fierit, me një kapacitet prej 50 deri 200 MW, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama, Balluku më 31 mars, informoi se nga viti 2021 e deri sot ka pasur aplikime për ndërtimin e parqeve për një kapacitet mbi 1,7 gigavat.

“Nga viti 2021 deri sot ka pasur aplikime mbi 1,7 gigavat. Deri tani janë aprovuar mbi 270 megavat, ndërsa po vijon shqyrtim i dokumentacionit për aplikimet e tjera”, tha Balluku.

Ajo shtoi se në fund të muajit qershor qeveria do të hapë një ankand të ri për parqe fotovoltaike, por tani do të jetë në një formë tjetër të njohur si hibrid, ku qeveria tashmë nuk do të sigurojë më tokën, por ofron mundësinë e blerjes në një ankand të hapur me synim çmimin më të ulët.

“Në qershor po ashtu do të kemi përfundimin e ankandit të parë eolik, ku morën pjesë 16 kompani ndërkombëtare dhe janë kualifikuar 4 kompani për në fazën e fundit”, shtoi ajo.

“Fituesi do të zgjidhet nga një grup i përbashkët nga BERZH dhe MIE”, deklaroi ministrja.

Nga ana tjetër, Balluku tha se mbështetja shtetërore nuk do të shkojë më për ngritjen e parqeve fotovoltaike, siç ishte deri tani, por në ngritjen e kapaciteteve depozituese.

“Blue 1” me një kapacitet prej 50 MW deri në 200 MW do të pasohet edhe nga projekti i dytë,  “Blue 2” duke plotësuar kështu nevojat për energji elektrike për 30 000 familje të zonës./ (7 prill)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.