Më 16 maj Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që pritet të mbledhë në Tiranë liderët e vendeve evropiane.
Autoritetet shqiptare janë në përgatitjet e fundit për mikpritjen e delegacioneve sipas shprehjes tradicionale shqiptare që thotë se shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut.
“Shtëpia e Evropës” nën hijen e monumentit të Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve në sheshin me të njëjtin emër në kryeqytet është pothuajse gati.
Në këtë strukturë do të bëhet pritja e liderëve evropianë ndërkohë që pjesë e “Shtëpisë së Europës” janë edhe pikturat dhe vizatimet e nxënësve të shkollave nëpër Shqipëri që përfaqësojnë vizionin e tyre për Evropën.
I rrethuar nga institucione të e kulturës dhe qeverisjes, sheshi “Skënderbej” përfaqëson transformimin demokratik të vendit dhe shpirtin e tij orientuar nga e ardhmja.
Ai qëndron sot jo vetëm si një pikë referimi për ripërtëritjen kombëtare, por edhe si një vend i përshtatshëm për dialog të hapur, aspirata të përbashkëta dhe një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar.
Në këtë samit do të bëhen bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish së bashku me krerët e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.
Në fokus të tij do të jenë katër tema të rëndësishme që do të zhvillohen në tryeza të nivelit të lartë: Siguria dhe qëndrueshmëria demokratike; fuqizimi i konkurrencës dhe sigurisë ekonomike; migrimi, lëvizshmëria dhe fuqizimi i rinisë; vizioni, lidershipi, mënyrat e reja të veprimit për Europën në një botë të re.
Roli i Shqipërisë si mikpritëse pasqyron thellimin e vokacionit europian të vendit dhe kontributin e saj për stabilitetin rajonal dhe kontinental. Si një anëtare e NATO-s, vend kandidat për në BE dhe zë aktiv në bashkëpunimin rajonal, Shqipëria është e pozicionuar në mënyrë unike për të organizuar një dialog të rëndësishëm në një moment kur Evropa duhet të flasë dhe të veprojë me më shumë kohezion.
Një ditë para Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Shqipëri, liderët e Këshillit Evropian dhe të Bashkimit Evropian do të mblidhen në një darkë pune në Tiranë me udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor. (12 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.