“Zgjedhjet janë një moment kyç për një demokraci dhe një tregues i rëndësishëm në rrugëtimin e një vendi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Kështu deklararoi ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato në takimin që pati me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për të diskutuar mbi ecurinë e organizimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shqipëri.
Në një kontekst ku Shqipëria është në negociata me Bashkimin Evropian, sipas ambasadorit Gonzato, këto zgjedhje do të jenë një faktor i rëndësishëm për të vlerësuar gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së.
“Prandaj, BE-ja do të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen e saj për KQZ-në, përfshirë edhe pas zgjedhjeve, me qëllim forcimin e mëtejshëm të kuadrit zgjedhor të Shqipërisë, duke përfshirë adresimin e rekomandimeve të kahershme të ODIHR-it”, u shpreh ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Duke folur për gazetarët pas takimit, Gonzato shtoi se çdo aktor politik e njeh metodologjinë e përdorur nga ODIHR-i në raportet e tij.
“ODIHR-i është plotësisht i pavarur dhe ne e respektojmë pavarësinë e tyre. Ne gjithmonë i mbështesim rekomandimet e tyre. Kjo është arsyeja pse po punojmë ngushtë me ta dhe mezi presim raportin e tyre përfundimtar”, deklaroi ambasadori.
Gonzato përforcoi deklaratat e tij në lidhje me rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit për Shqipërinë.
“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme sepse janë zgjedhjet e para që ndodhin që kur hapëm negociatat me Shqipërinë dhe hapëm “Themeloret”, të cilat kanë të bëjnë edhe me institucionet demokratike edhe me proceset demokratike”, tha ai.
Takimin me Celibashin, Gonzato e cilësoi si mundësi për përditësim si dhe për të parë mënyrat se si mund të mbështetet edhe financiarisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të përmirësuar punën. (7 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
