BEI Globale, krahu i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) për financimin e aktiviteteve jashtë Bashkimit Evropian, ka nënshkruar një hua me vlerë 100 milionë euro me Shqipërinë në kuadër të një pakete financiare të ‘Team Europe’ për modernizimin dhe elektrifikimin e një linje hekurudhore me gjatësi 120 kilometra nga Vora, 20 kilometra në veriperëndim të Tiranës, deri në Hanin e Hotit në kufi me Malin e Zi.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Tiranë dhe u ndoq nga një delegacion i BEI Globale, i kryesuar nga zëvendëspresidenti i BEI-t, Kyriacos Kakouris, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe i ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, André Rizzo.
Projekti është në përputhje me mbështetjen strategjike të BE-së për ndërtimin dhe rehabilitimin e seksioneve kryesore hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, duke synuar të rrisë aksesin dhe përdorueshmërinë e transportit hekurudhor, duke kontribuar në zhvillimin socio-ekonomik, lidhje më të mira tregtare, kalimin në modalitete më të qëndrueshme të transportit dhe dekarbonizimin e ekonomive lokale.
Projekti do të mundësojë elektrifikimin e shinave hekurudhore, rindërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, futjen e një sistemi të ri telekomunikacioni dhe sinjalistikë dhe përmirësime të sigurisë.
Këto do të mundësojnë shpejtësi deri në 120 km/h, duke rritur efikasitetin dhe kapacitetin e transportit hekurudhor të pasagjerëve dhe mallrave. Si një zgjatim i korridorit kryesor TEN-T Mesdhetar, linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit lidh Tiranën me Podgoricën dhe është e vetmja lidhje hekurudhore midis Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës.
I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, André Rizzo, tha se, “me përparimin e Shqipërisë dhe të rajonit në rrugën e tyre drejt integrimit në BE, njerëzit tashmë mund të përjetojnë përfitime konkrete nga ky proces”./ (22 mars)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.