Shqipëria shënoi sot hap historik në rrugën drejt integrimit evropian dhe zhvillimit ekonomik ndërsa nisi aplikimi i pagesave në SEPA (Single Euro Payments Area) që është një sistem i unifikuar pagesash në euro në të gjithë Evropën.
Në ceremoninë e organizuar për pagesën e parë në SEPA, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e cilësoi moment historik për tregun financiar shqiptar nisjen e transaksionit të parë në euro, përmes Zonës Unike të Pagesave në Euro, e njohur si SEPA.
“Ky nuk është thjesht një zhvillim teknik në sistemin e pagesave, por një gur themeli në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në infrastrukturën financiare evropiane”, deklaroi ai gjatë ceremonisë së lançimit të transaksionit të parë të Shqipërisë në SEPA, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, i realizuar në nëntor të vitit të kaluar, theksoi ai, ka qenë rezultat i një procesi të strukturuar, ku Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me të gjitha bankat e nivelit të dytë dhe institucionet financiare, ka punuar me përkushtim për të përmbushur kërkesat teknike dhe rregullatore të nevojshme.
Sot, të 11 bankat vendase janë gati të ofrojnë shërbime SEPA për qytetarët dhe bizneset.
Qytetarët dhe bizneset shqiptare përfitojnë shërbime pagesash ndërkufitare me 41 vende të Evropës, në mënyrë më të shpejtë, më të lire, më të sigurt.
Përfitimet kryesore janë deri në 5 herë më pak kosto për transfertat në euro jashtë Shqipërisë, pagesa ndërkombëtare sikur të ishin vendase, kartat bankare shqiptare funksionojnë në të gjithë Evropën, komisione të unifikuara dhe të ulëta, më shumë lehtësi për bizneset, udhëtimet dhe jetën e përditshme.
SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro) është një iniciativë e Bashkimit Evropian që lejon konsumatorët, bizneset dhe administratat publike të bëjnë dhe të marrin pagesa në euro, brenda dhe jashtë kufijve, me të njëjtat kushte si pagesat kombëtare.
Shqipëria, duke u bërë pjesë e SEPA-s, i bashkohet 41 vendeve të tjera evropiane, përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së, duke përfituar nga një treg i përbashkët financiar modern dhe efikas.
Nga ana e tij, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se ky është një hap i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë dhe një tregues i qartë i përpjekjeve drejt anëtarësimit në BE.
Ai nënvizoi se ky sukses është rezultat i një procesi të gjatë dhe sfidues, që kërkoi bashkëpunim dhe angazhim nga sektori bankar dhe autoritetet shqiptare për të përmbushur standardet dhe kërkesat e Këshillit Evropian të Pagesave, duke përfshirë edhe masat kundër pastrimit të parave, të domosdoshme për anëtarësimin në SEPA.
Ambasadori Gonzato theksoi se kjo arritje është pjesë e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, që synon përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit në BE, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët para anëtarësimit.
“Ky është një moment i rëndësishëm, pasi shqiptarët ndjehen të barabartë me çdo qytetar tjetër të BE-së, me transaksione bankare më të lira, më të shpejta dhe më efikase”, shtoi ai.
Gonzato shtoi se ky sukses dëshmon se angazhimet politike, kur ndiqen me vendosmëri, mund të sjellin rezultate konkrete për qytetarët dhe se BE-ja është serioze në mbajtjen e premtimeve të saj.
Sipas tij, këto përpjekje çuan në këtë arritje strategjike për përfshirjen financiare dhe integrimin ekonomik të Shqipërisë në tregun unik të BE-së, me një sërë përfitimesh që qytetarët shqiptarë do t’i gëzojnë menjëherë. (7 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.