Rama: Konferenca e dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE, pritet formalizimi i datës

Kryeministri Edi Rama u shpreh në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE se pas përfundimit të suksesshëm të procesit screening, për Konferencën Ndërqeveritare vendi ndodhet në proces dhe është çështje thjesht e formalizimit të një date për mbledhjen e konferencës. Rama e renditi integrimin si prioritet  edhe për vitin 2024, ndërsa paraqiti arritjet dhe projektet e reja të qeverisë në vijim.

Kryeministri Edi Rama, krahas arritjes në procesin e negociatave, theksoi se viti 2023 ishte viti më i mirë për Shqipërinë nga çdo aspekt, ndërsa u shpreh se pritet rritje ekonomike me afro 4%.

Kryeministri shqiptar Edi Rama vuri në dukje se nuk e emocionojnë fare datat e konferencave dhe proceset formale burokratike në procesin e integrimit. “Thelbi i procesit të integrimit është çfarë bëjmë ne. Ne vazhdojmë punën, kemi bërë një punë të shkëlqyer në procesin e skanimit, ndaj kur të fillojmë me grupkapituj do jemi shumë përpara”, deklaroi ai./ (4 janar)

Presidenca belge e BE-së – Nikolla: Zgjerimi na bën të gjithëve më të fortë

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla uroi kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Eliane Tillieux, me rastin e marrjes së presidencës së radhës të BE-së nga Belgjika, me besim në realizimin me sukses të prioriteteve të kësaj presidence.

“Këto prioritete janë rruga drejt një Europë më të fuqishme, më të bashkuar e demokratike, konkurruese dhe të qëndrueshme, me më shumë mirëqenie e drejtësi sociale, të dedikuar për qytetarët e saj dhe të hapur ndaj botës”, shkruan Nikolla në mesazhin e urimit.

Nikolla shpreh po ashtu kënaqësinë që zgjerimi do të vijojë të përbëjë një prioritet të presidencës belge sepse, siç nënvizohet edhe në prioritetet e saj, zgjerimi na bën të gjithëve më të fortë.

“Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të kontribuojë në përshpejtimin e ritmeve të evropianizimit të vendit tonë, duke garantuar legjitimitetin demokratik, transparencën dhe karakterin gjithëpërfshirës të këtij procesi, për të përmbushur aspiratat e shqiptarëve, si populli më proevropian në rajon”, u shpreh Nikolla./ (4 janar)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.