Minimizim i pasojave nga fatkeqësitë natyrore
Këshilli i Ministrave miratoi më 27 dhjetor 2022 ratifikimin e marrëveshjes mes Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi në përfundim të mbledhjes së qeverisë se para pak javësh ishte firmosur marrëveshja me eurokomisionerin për Mbrojtjen Civile, Janez Lenarcic.
Peleshi u ndal në rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë mekanizëm duke theksuar se është një hap integrues i Shqipërisë në një nga strukturat kaq shumë të rëndësishme për mbrojtjen civile.
Ministri u shpreh se Shqipëria e ka përdorur edhe më parë këtë mekanizëm, jo në cilësinë e anëtares, por në cilësinë e një përfitueseje të solidaritetit të vendeve të BE përmes këtij mekanizmi.
“Tani do të kemi mundësi që jo vetëm të përfitojmë nga solidariteti dhe kontributi i vendeve të tjera, të koordinuara nga Mekanizimi Evropian i Mbrojtjes Civile në raste emergjencash civile apo fatkeqësish natyrore, por do të kemi mundësinë që edhe stafet tona t’i mbajmë më pranë ndryshimeve dhe avancimit teknologjik”, tha Peleshi.
Ministri është shprehur se rajoni i Ballkanit Perëndimor, por veçanërisht Shqipëria klasifikohet si vend me rrezik të madh ndaj fatkeqësive natyrore, për fat të keq përgjatë gjithë vitit dhe në çdo stinë.
“Një pajisje e mirë e të gjitha strukturave me mjete, dije, teknologji dhe me trajnim, patjetër që do të na bëjë të jemi më eficient dhe të minimizojmë pasojat e fatkeqësive natyrore, të cilat nuk i shmangim dot plotësisht”, theksoi Peleshi./ (27 dhjetor)
30 milionë euro për logjistikën
Qeveria miratoi më 19 dhjetor edhe marrëveshjen ndërqeveritare me Italinë për ngritjen e Sistemit të Mbrojtjes Civile.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi është shprehur se ky është një angazhim i Italisë që në Konferencën e Donatorëve pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, që premtoi të mbështeste sistemin e mbrojtjes civile të Shqipërisë me një financim në formë huaje prej 30 milionë eurosh.
Kredia që parashikon mbështetjen e Sistemit të Mbrojtjes Civile është e shtrirë në të gjithë territorin dhe në të gjitha nivelet qeverisëse.
Sipas ministrit, plani parashikon ndërtimin e një qendre të mirëpajisur me teknologji të standardeve të BE në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Paralel me të, në të gjitha prefekturat dhe në katër qendrat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile në territor do të ndërtohen sallat operacionale të pajisura dhe të lidhura me njëra-tjetrën.
Gjithashtu, pranë qendrave të mbrojtjes civile do të ndërtohen edhe struktura operacionale të kërkim-shpëtimit, të shoqëruara edhe me pajisje, por dhe me trajnim. Për të gjitha bashkitë parashikohet blerja e automjeteve zjarrfikëse dhe automjeteve të tjera si dhe gjithë logjistika për përmbytjet dhe kërkim-shpëtimin.
Pjesë e këtij financimi është edhe blerja e dy mjeteve ajrore specifike për luftën kundër zjarreve./ (22 dhjetor)
NATO mbështetje për bazën ushtarake në Porto Romano
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bërë publike diskutimet me komandantin suprem të NATO-s në Evropë, gjeneralin Christopher G. Cavoli për ndërtimin e një baze ushtarake në një pjesë të portit të ri tregtar të Porto Romanos në Durrës.
Peleshi tha se kjo mund të ndërtohet sipas modelit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Ai ka nënvizuar se Durrësi si nyje hyrëse për në Ballkanin Perëndimor dhe në krahun lindor të NATO-s është i rëndësishëm për aleancën.
Ministri ka sqaruar se “ajo që po i ofrojmë ne NATO-s është që kjo hyrje të jetë sipas standardeve të saj”.
“Ne jemi duke u konsultuar me NATO-n dhe po punojmë edhe për mënyrën e financimit”, tha ai.
Peleshi ka bërë me dije se një tjetër pikë diskutimi me komandantin suprem ka qenë një investim tjetër shtesë për ndërtimin e qendrës së kontrollit të trafikut ajror në Kuçovë, një infrastrukturë shtesë që mund të kushtojë 20 milionë euro./ (29 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.