Shqipëria, si një destinacion tashmë i njohur turistik, gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e turistëve dhe vizitorë të huaj, ndërkohë që autoritetet lokale dhe kombëtare po bëjnë të gjitha përpjekjet që turizmi të jetë i shtrirë përgjatë gjithë vitit.
Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit e Shqipërisë, vetëm në stinën e dimrit dhe të pranverës 2022, rritja e numrit të turistëve ka qenë mbresëlënëse.
“Në maj, numri i vizitorëve të huaj ishte 604 430 dhe krahasuar me muajin maj të vitit 2021, ky numër është rritur 83,9 %. Ndërsa për pesë muajt e parë të këtij viti ka pasut 594 000 turistë më shumë se në vitin 2021”, theksohet në shifrat e Ministrisë së Turizmit.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare, Shqipëria ofron disa plazhe nga veriu në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë apo Sarandë.
Autoritetet kanë marrë të gjitha masat që territori i vendit të jetë i pastër dhe i qetë. Çdo ditë në plazhet e vendet dhe qytetet turistike kryhen aksione pastrimi për të garantuar mjedise të pastra për turistët dhe qytetarët.
Ndërsa numri i të prekurve nga Covid-19 ka shënuar rritje javët e fundit, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale po ofron vaksinim në 29 qendrat shëndetësore të ngritura pranë zonave turistike. (21 korrik 2022)
Kroçera të huaja në portet shqiptare
Me fillimin e stinës së verës në portet kryesore të vendit, atë të Durrësit, Vlorës dhe Sarandës mbërrijnë çdo ditë kroçera me turistë nga vende të ndryshme të botës.
Pas dy viteve të vështira për shkak të pandemisë, këtë vit në këto porte kanë mbërritur një sërë kroçerash si dhe anije turistike që kanë sjellë një numër të madh turistësh të huaj.
Turistët e huaj vizitojnë qytetet dhe sitet arkeologjike më të afërta me portet, ku njihen me trashëgiminë e pasur kulturore dhe arkeologjike të Shqipërisë.
Sipas statistikave të Autoritetit Portual Durrës, vetëm në muajin qershor 30 000 turistë kanë zgjedhur të hyjnë përmes portit të Durrësit për të kaluar pushimet në Shqipëri.
Ndërkohë që ky numër pritet të rritet gjatë muajit korrik dhe gusht, që janë edhe piku i sezonit turistik.
Një tjetër destinacion i preferuar nga turistët e huaj është edhe Saranda, e cila gjatë muajit qershor ka pasur një fluks të madh vizitorësh të huaj.
“Vetëm muajit qershor ka pasur një qarkullim prej 68 068 vizitorësh të huaj ose 24 % më shumë krahasuar me gjithë vitin 2021”, bën të ditur porti i Sarandës.
Sarandën e vizitojnë çdo ditë edhe turistë ditorë nga ishulli grek i Korfuzit. Pasi zbresin ata vizitojnë Sarandën, Gjirokastrën si edhe sitet e njohura arkeologjike të tyre.
Kroçerat këtë vit kanë vizituar edhe portin e Vlorës, ku turistët e huaj vizitojnë Vlorën dhe Apoloninë si edhe shfrytëzojnë plazhet e qytetit bregdetar, që tërheq mijëra turistë çdo vit.
Gjatë muajit gusht parashikohet një rritje e numrit të kroçerave që do të vizitojnë Shqipërinë. (19 korrik 2022)
Turizmi historik dhe kulturor në Shqipëri
Shqipëria është një vend i pasur me bukuri natyrore malore dhe një vijë bregdetare mahnitëse, të kanë qenë në qendër të vëmendjes edhe të medias prestigjioze ndërkombëtare.
Por, përveç këtyre, një vend të veçantë po zë gjithnjë e më shumë turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas dhe të huaj.
Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana dhe Shkodra janë destinacione të kërkuara për turizmin kulturor dhe historik.
Sipas statistikave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, për muajin maj 2022 vihet re një rritje e numrit të vizitorëve në 12 muzetë e vendit.
Kjo rritje është tre herë më e lartë krahasuar me vitin 2021. Po ashtu, rritje me tre herë më shumë kanë dhe numri i vizitorëve, që kanë paraqitur interes për nëntë parqet arkeologjike të vendit, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit me 2021.
Qyteti i Gjirokastrës, 220 kilometra në jug të Tiranës, vetëm në muajt janar-qershor të këtij viti u vizitua nga 40 000 turistë.
Një ndër atraksionet kryesore për turistët, përveç Qafës së Pazarit dhe Kalasë, janë edhe muzeumet.
Po ashtu dy muajt e parë të sezonit veror kanë rezultuar të suksesshëm edhe për Qendrën Kombëtare të Muzeumeve, Berat.
Shifrat tregojnë rritje të interesit të vizitorëve, veçanërisht për Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik.
Vetëm në dy muajt e parë të sezonit veror, muzetë e Qendrës Muzeore Berat u vizituan nga 11 651 vizitorë vendas dhe të huaj, që rezulton të jetë disa herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një tjetër atraksion për turistët e huaj është edhe Muzeu i Krujës. Nga muaji janar ky muze është vizituar nga rreth 30 000 turistë.
Po ashtu 10 358 vizitorë zgjodhën Kalanë e Rozafës si një ndër destinacionet më të preferuara këtë verë. (17 korrik 2022)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.