Mete: Shqipëria synon të përfitojë një miliard euro nga plani financiar i BE-së
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete deklaroi se Shqipëria përfiton rreth një miliard euro nga plani financiar i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, që u njoftua gjatë samitit të Procesit të Berlinit, i mbajtur më 16 tetor në Tiranë.
Mete u shpreh se synimi është që të arrihet një mbështetje për frymë aq sa marrin vendet anëtare.
“Për të arritur këtë nevojitet të zbatohen reformat. Synimi i artikuluar edhe në programin e planit është që ne të marrim për frymë mbështetje financiare nga BE, në terma të krahasueshëm mbështetjen që marrin vendet anëtare. Sigurisht që është sfidues sepse duhet të realizojmë një sërë reformash. Plani është inkurajues dhe po ecën me kalendar të përshpejtuar”, deklaroi ai.
“Do të konceptohet një plan reformash prioritare, por synohet integrim de facto përpara anëtarësimit”, theksoi Mete.
“Ky është një moment i mirë për të gjithë vendet e rajonit. Ka një ndjeshmëri të shtuar të BE, kjo edhe për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe do të jetë një shtysë edhe për qeverinë edhe për bizneset për t’u formatuar për të qenë pjesë e përbashkët e tregut evropian”, deklaroi Mete./ (23 nëntor)
Qendër e re multifunksionale e financuar nga BE
Të rinjtë në bashkinë e Fushë-Arrëzit, 70 kilomerta në verilindje të Tiranës, kanë tashmë një qendër të re multifunksionale ku do të ofrohen gjithashtu edhe shërbime sociale për grupet e margjinalizuara.
Rikonstruksioni i qendrës u krye nga bashkia e Fushë-Arrëzit si pjesë e projektit “Njësia e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rasteve”, financuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet skemës së granteve të EU4Municipalities.
Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian mbështet pushtetin lokal për të zbatuar objektivat dhe planet e zhvillimit strategjik dhe për të forcuar kapacitetet e thithjes së financimeve të Bashkimit Evropian në nivel njësie vendore.
Po ashtu, projekti adreson problemet kryesore që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe në perspektivën ekonomike të komuniteteve lokale duke i linjëzuar ato me standardet e Bashkimit Evropian./ (23 nëntor)
Shtëpia e Europës, diskutim me fëmijët për përfshirjen sociale
Shtëpia e Evropës po bëhet gjithnjë e më shumë vendi që mbledh qytetarë, të rinj e të moshuar me debate, diskutime dhe ngjarje të ndryshme sociale apo kulturore.
Së fundmi, Shtëpia e Evropës mirëpriti fëmijët e shkollës “Turgut Ozal” për një sesion leximi të librit “Arti i barabarti”, një botim i projektit EU4SocialInclusion financuar nga Bashkimi Evropian.
Pas leximit të librit, stafi i Shtëpisë së Evropës u përfshi në diskutime me nxënësit e vegjël dhe mësuesit e tyre për koncepte si përfshirja, toleranca, bashkimi dhe barazia.
Synimi i aktiviteteve të tilla është që t’u mësohet fëmijëve se vlera si toleranca dhe empatia janë garanci për një Shqipëri më gjithëpërfshirëse në të ardhmen./ (23 nëntor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.