Qershori regjistroi fluks të lartë turistësh
Shqipëria ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh të huaj gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, me një rritje prej 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Sipas shifrave zyrtare të INSTAT në 6 muajt e parë të këtij viti e kanë frekuentuar Shqipërinë 3,4 milionë vizitorë të huaj, ose 33% më shumë se në vitin 2022.
Vetëm në qershor 2022 Shqipëria u vizitua nga 876 056 vizitorë, ndërsa në qershor 2023 nga 1 007 033 vizitorë pra 15% më shumë vizitorë se një vit më parë. Në janar -qershor 2022, vendi ynë u vizitua nga 2 553 747 vizitorë, ndërsa në janar- qershor 2023 nga 3 396 932 ose 33% më shumë.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron shumë plazhe. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra dhe qytete të tjera janë destinacione të kërkuara për turizmin historik dhe kulturor.
Po ashtu, vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës./ (17 korrik)
Tur-operatorët gjermanë bashkëpunim në turizëm
“Shqipëria si një destinacion turistik ka një të ardhme të shkëlqyer në tregun gjerman, pasi ka kaq shumë për të ofruar”, është shprehur Norbert Fiebig, president i shoqatës më të rëndësishme të tur-operatorëve gjermanë, i cili vizitoi ditët e fundit Shqipërinë.
Fiebig u shpreh entuziast për Shqipërinë si destinacion turistik dhe për vijimin e bashkëpunimeve të tjera të suksesshme, për të rritur numrin e vizitorëve gjermanë në Shqipëri.
Tashmë me aplikacionin TEA të shkarkuar në telefonat e tyre dhe me entuziazmin për këtë risi që të mundëson informacion rreth eventeve turistike të Shqipërisë, delegacioni i shoqatës së turoperatorëve gjermanë u shpreh i gatshëm ta bëjnë aplikacionin TEA pjesë të paketave të tyre turistike.
Ai u shpreh se “Shqipëria ka shumë për të ofruar. Unë nuk kam qenë më parë këtu, kisha disi pritshmëri por ajo që kam parë dhe kemi përjetuar nga ana infrastrukturore, e mikpritjes dhe kulinarisë që na bëri të ndihemi të magjepsur”.
“Ajo që ne synojmë është të krijojmë më shumë trafik të turistëve. Ata do të shikojnë diçka që nuk e kanë pritur, ajo për të cilën ne jemi të përkushtuar në tregun gjerman. Ne jemi të përkushtuar për t’i treguar klientëve tanë potenciale, destinacione të reja”, tha Fiebig./ (13 korrik)
TEA – Kalendari Kombëtar i Eventeve të Turizmit
Për herë të parë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit kanë mundësuar Kalendarin Kombëtar të Eventeve të Turizmit, përmes aplikacionit TEA (Tourism Events of Albania), një nga risitë teknologjike të këtij viti për turizmin kulturor shqiptar.
TEAështë kalendari digjital, i cili ofrohet përmes një aplikacioni miqësor për çdo përdorues brenda Shqipërisë dhe anembanë botës duke ju dhënë mundësinë që për të parën herë të krijoni paketa të turizmit kulturor dhe të udhëtoni nëpër kulturën, trashëgiminë, artet, sportet dhe kulinarinë e pasur të Shqipërisë.
Me TEA-n, vizitorët vendas dhe turistët e huaj mund të mund të eksplorojnë kalendarin e ngjarjeve dhe të shënojnë aktivitetet e preferuara , sipas grupmoshës dhe vendndodhjes, duke u bërë pjesë e skenës së madhe kulturore e turistike të Shqipërisë.
TEA është e disponueshme në Apple Store dhe në Play Store.
Në aplikacionin TEA pasqyrohen eventet e kategorive të ndryshme si Art Fest, Trashëgimi Kulturore, Festivale Muzikore, Sport, Koncerte, Folklor, Festa Lokale, Arte Pamore, Agroturizëm e Kulinari dhe Teatër.
Janë mbledhur në çdo cep të Shqipërisë mbi 1110 evente nga më të ndryshmet dhe TEA sjellë informacionin për çdo event, për çdo preferencë e grupmoshë, në shqip dhe në anglisht. Çdo event brenda aplikacionit ka faqen e tij të dedikuar me informacion të detajuar dhe përdoruesit njoftohen për eventet e tyre të preferuara, kur data e tyre të afrojë./ (11 korrik)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.