Clinton nderohet me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”
Kryeministri Edi Rama mikpriti të hënën në Tiranë, presidentin e 42-të të SHBA, Bill Clinton, i cili vizitoi për herë të parë Shqipërinë.
Clinton dhe delegacioni që e shoqëronte u nderua me një ceremoni të posaçme zyrtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve, të cilët mirëpritën Clinton dhe të cilin e vlerësuan si dashamirës të kombit shqiptar.
Në ceremoninë zyrtare morën pjesë ministra të kabinetit qeveritarë, deputetë të Kuvendit, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, drejtues të institucioneve të ndryshme si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.
Falenderimet për kontributin e tij, në mënyrë të veçantë shqiptarët e Kosovës nuk e kanë shprehur vetëm me fjalë, por edhe duke iu vendosur pasardhësve të tyre emrat si Clinton apo Hillary.
Kryeministri Rama nderoi ish-presidentin me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”.
Këtë medalje e ka marrë më parë edhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel.
“Nuk ka fjalë që mund të shprehësh mjaftueshëm përulësinë e thellë që ndjej tashmë duke ju kërkuar me përulje të pranoni këtë medalje, që është në fakt çmimi më i lartë që i jepet nga zyra e e kryeministrit dikujt i cili e meriton këtë mirënjohje të jashtëzakonshme nga vendi ynë”, theksoi Rama gjatë ceremonisë./ (3 korrik)
Kontributi i Clinton për Ballkanin, një trashëgimi e çmuar
“Shqipëria është sot vendi më pro amerikan që mund të gjendet dhe Clinton është presidenti më shqiptar që ne mund të gjenim ndonjëherë në Amerikë”, deklaroi Rama.
Ai vlerësoi se kontributi i Clinton për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit tonë do të mbetet një trashëgimi e çmuar në faqet e historisë.
Sipas tij “Clinton ia rrëmbeu zemrën Amerikës dhe frymëzoi Europën dhe botën mbarë me forcën unikale të fjalës së tij”.
Kryeministri u ndal te kontributi i madh i Bill Clinton për çlirimin e Kosovës duke e cilësuar fjalimin e 24 marsit të vitit 1999 si një gur kilometrik në historinë e gjithë rajonit.
Rama vlerësoi kontributin e Clinton me “vendimmarrjen historike të NATO-s për realizmin e njërit prej sukseseve më domethënëse të politikës së jashtme amerikane, çlirimit të Kosovës dhe çeljen e një epoke të re, për këtë lagje të njohur si fuçi baruti në zemër të Europës, me emrin Ballkan”.
Clinton tha se “nuk kam fjalë për të përshkruar të gjithë këtë pritje unike”.
Clinton shprehu besimin se “Shqipëria do të jetë në gjendje t’i tregojë botës sesi duket një e ardhme gjithëpërfshirëse. Nuk dua që të nënvlerësoni kurrë fuqinë e shembullit tuaj”.
Ai falënderoi qeverinë shqiptare që mikpriti afganët e larguar nga vendi i tyre./ (3 korrik)
Clinton: Të ndalet marrëzia në veri të Kosovës
Clinton deklaroi nga Tirana se do të donte që mosmarrëveshja që po ndodh në Kosovë të mos kishte ndodhur kurrë.
Sipas tij, “gjëja e vërtetë që duhet të bëhet është ndalja e kësaj marrëzie”.
“Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke patur tension? Ka njerëz që jetojnë aty. Kanë nevojë që të kenë një qeverisje të denjë”, tha ai.
”Mendoj se është e lehtë për shqiptarët, tashmë në shumicë, që të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të paraqitur argumentin e tyre, por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është që duhet ta ndalim këtë marrëzi”, apeloi ish-presidenti amerikan.
Ai kërkoi që Shqipëria të jetë shembull për Kosovën.
“Unë shpresoj që Shqipëria në mënyra të mëdha e të vogla do të jetë në gjendje që së pari t’i tregojë botës se si duhet një e ardhme gjithëpërfshirëse”, theksoi Clinton./ (3 korrik)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.