Gega, imazhi i një Shqipërie që ia del

Kampionia e Evropës në atletikë Luiza Gega u prit në një ceremoni të organizuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, mes entuziazmit dhe duartrokitjeve të sportdashësve dhe jo vetëm, me të cilët ajo ndau triumfin e një fitoreje të merituar.

E veshur kuq e zi, Luiza Gega parakaloi me një “Cadillac” përgjatë bulevardit, ku u prit me entuziazëm nga njerëz të shumtë që kishin dalë për ta përshëndetur.

Makina që shoqëronte Luizën u ndal përpara godinës së Kryeministrisë, ku u zhvillua një ceremoni e veçantë.

Gega u nderua nga kryeministri Edi Rama me “Kordonin e madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, në ceremoninë që vijoi në Sallën e Hartave.

Teksa i dorëzoi Medaljen e nderit, Rama tha se me fitoren e saj të merituar Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë, kredenciale të reja fisnikërie si dhe imazhin e një Shqipërie që ia del mes gjithë të tjerëve.

Sipas tij, “fitorja madhështore me rekord të ri në Kampionatit Evropian është edhe një dëshmi e vyer për të gjithë ne, sportistë e jo sportistë, të rinj apo më pak të rinj, për të gjithë brezat”.

Rama tha se ato 10 minuta që tashmë i përkasin historisë, janë hapa të pafundëm sfilitjeje, gjaku, lotësh dhe djerse.

“Me këto katër fjalë të kthyera në një mënyrë të jetuari, Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë kredenciale të reja fisnikërie si edhe një dëshmi të0 vyer për të gjithë ne, sportistë dhe jo sportistë, të rinj apo më pak të rinj, për të gjithë brezat”, tha Rama./ (23 gusht 2022)

Flamuri që frymëzoi “Kolonelen”

Mes emocioneve të shumta dhe e veshur kuq e zi, kampionia e Evropës, Luiza Gega tha në ceremoninë e nderimit se ndjehej krenare jo vetëm për arritjen, por veçanërisht që ia doli t’i tregojë  Evropës në atë pistë të mbushur me 70 mijë spektatorë që edhe ne mund t’ia dalim.

“Jam shumë e lumtur që arrita të valëvis atë flamur dhe të dëgjoj himnin shqiptar në atë vend të zhvilluar, që e do aq shumë sportin dhe investon kaq shumë”, u shpreh ajo.

Rekordmenia kujtoi rrugëtimin e sfidës sportive dhe përgjegjësitë që i jepte përfaqësimi në gara me veshjen kuqezi që nga pjesëmarrja e parë në kampionatin e mbajtur 12 vite më parë në Paris ku doli nga fundi dhe me diferencë.

“Fillova të thyej rekorde kombëtare, të dominoj Ballkanin, pastaj të sillja medalje nga Lojërat Mesdhetare, vendi i dytë në botë në Amsterdam në 2016-n. Sigurisht rrugëtimi nuk ka qenë kaq i suksesshëm pasi sportistët kanë edhe pjesën e errët nga dëmtimet, prapë vendosa të mos dorëzohem”, theksoi Gega.

Kampionia e Evropës i dha një mesazh frymëzues edhe të rinjve shqiptarë.

“Nëse vërtet duan, do t’ia dalin. Sigurisht do të ketë disfata, por nëse e duan këtë vend dhe flamur mund t’ia dalin”, tha Gega.

Luiza Gega e cila ka fituar medaljen e artë duke vendosur edhe rekord të ri kombëtar në garën 3,000 metra me pengesa në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, në Algjeri, do të marrë edhe gradën honorifike “kolonel”./ (22 gusht 2022)

Qeveria shpërblim sportistëve dhe trajnerëve

Atletja Luiza Gega përfiton shpërblimin financiar prej 10 milionë lekë nga qeveria, pas shpalljes kampione e Evropës në garën e 3,000 metrave me pengesa në Kampionatin Evropian të Atletikës.

Ky shpërblim i akordohet sipas vendimit të qeverisë Nr. 789, datë 15.12.2021 për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, dhe trajnerëve të tyre, që parashikon se, sportistët që thyejnë rekord evropian shpërblehen me shumën 6,0 milionë lekë. Ndërkohë, për ata që fitojnë vendin e parë në Kampionatin Evropian shuma që u akordohet është 4,0 milionë lekë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi është shprehur se sipas projektligjit të ri të sportit do të ketë për herë të parë edhe grada honorifike për sportistët elitarë dhe këto grada do të jenë jo vetëm si tituj, por edhe për shpërblim financiar për çdo medalje në çdo garë dhe për çdo rekord që thyejnë.

Në vitin 2021 nga Ministria e Arsimit dhe Sportit me vendimin e ri të Këshillit të Ministrave janë shpërblyer 14 sportistë dhe trajnerët e tyre. Ndërsa në vitin 2022 janë shpërblyer 44 sportistë dhe trajnerë.

Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë të regjistruar në fazën kualifikuese dhe ishte pretendente kryesore për të fituar këtë garë. Ajo mori kryesimin në garë që pas 100 metrave të parë, për të lënë pas të gjitha rivalet. Sportistja shqiptare ia doli të kalonte finishin e vetme me kohën 9’11’’31, që u bë rekordi i ri i Kampionatit Evropian, duke e thyer me mbi 6,0 sekonda atë të vendosur në vitin 2010 nga rusja Yuliya Zaripova./ (20 gusht 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.