“Vrapo për paqen”

Me logon “Vrapo për paqen”, u zhvillua dje në kryeqytetin shqiptar edicioni i gjashtë i Maratonës së Tiranës.

Në garën më të madhe sportive në qytet morën pjesë rreth 2,500 vrapues nga e gjithë bota. Maratona ishte jo vetëm një sfidë sportive, por edhe një mundësi shumë e mirë financiare për fituesit.

Gara ishte e ndarë në katër kategori: “Marathon” gara e plotë që i dedikohet profesionistëve, “Half Marathon”, për ata që duan të sfidojnë veten, “Tirana 10K” ku garojnë kryesisht të apasionuarit pas maratonave, por jo profesionistë, dhe kategoria “We Too” që është gara për personat me aftësi ndryshe.

Edicioni i gjashtë i Maratonës së Tiranës, nisi mëngjesin e të shtunës me garën “Fun Run”, ku protagonistë ishin nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, të cilët vrapuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me mesazhin sensibilizues për edukimin e të rinjve përmes sportit.

 Gara ishte me një gjatësi prej 2,3 kilometrash./ (24 tetor 2022)

Tirana finaliste për çmimin “Qyteti Evropian i Sportit 2023”

Në nisje të edicionit të gjashtë të Maratonës së Tiranës, eventi më i madh sportiv në qytet, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se Tirana ishte finaliste për çmimin “Qyteti Evropian i Sportit 2023”.

Veliaj falënderoi pjesëmarrësit nga 33 shtete si edhe të atyre që erdhën nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Kryebashkiaku zgjodhi që këtë vit t’i bashkohet kauzës së personave me aftësi ndryshe.

Ndryshe nga vitet e tjera, Veliaj zgjodhi që bashkë me një vajzë të vogël në karrocë, të vrapojë në kategorinë We Too”. Qëllimi i kësaj gare ishte më shumë motivues se sa konkurrues./ (23 tetor 2022)

Shumica e fituesve nga Ukraina

Në fund të maratonës, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau çmimet për kategorinë “Marathon 10K”.

Duke e cilësuar këtë ngjarje sportive si kartolina më e bukur e Tiranës pozitive, Veliaj u shpreh se “jam i lumtur që çmimet e para këtë vit shkuan më së shumti për atletët ukrainas.”

“Faleminderit të gjithëve që zgjodhën këtë kauzë dhe të gjithë ata që nuk pranojnë që në Evropë të ketë luftë,” tha Veliaj.

Çmimet për fituesit e katër kategorive variojnë nga 300 deri në 5,000 euro./ (24 tetor 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.