“`html
Shkupi – Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova në margjinat e Konferencës për Ndryshimet Klimatike – KOP29 në Baku, zhvilloi një takim me homologun e saj bullgar Rumen Radev. Në takimin që, siç informojnë nga Kabineti i presidentes, zgjati një orë dhe u zhvillua në një atmosferë konstruktive, u bisedua për nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve maqedonaso-bullgare, për kapërcimin e çështjeve të hapura midis dy shteteve, si dhe për mundësitë për thellim dhe dinamizim të bashkëpunimit dypalësh në disa fusha me interes të ndërsjellë.
Të dy bashkëbiseduesit prezantuan pozitat e tyre në lidhje me zgjidhjet e mundshme për sfidat e integrimeve evropiane maqedone. Presidentja nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut politik bilateral në të gjitha nivelet dhe theksoi se duhet të respektohen pozicionet dhe interesat e të dyja palëve dhe se zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe duhet të jetë në kuadrin e vlerave dhe parimeve themelore të Bashkimit Evropian.
Siljanovska Davkova, siç theksojnë nga Kabineti, theksoi se marrëdhëniet duhet të zhvillohen mbi bazën e respektimit të ndërsjellë, mbështetjes dhe bashkëpunimit aktiv që do të kontribuojë për forcimin e besimit dhe miqësisë ndërmjet dy popujve.
Presidenti bullgar Radev, thuhet në deklaratë, theksoi nevojën për zgjidhjen e shpejtë të çështjeve të hapura, si dhe nevojën për vendosjen e marrëdhënieve të mira në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë për një kuptim më të lehtë ndërmjet dy palëve.
Dy bashkëbiseduesit, thuhet në deklaratën nga Kabineti i presidentes, ranë dakord për organizimin e vizitave zyrtare ku do të konkretizohen përpjekjet për një bashkëpunim më të mirë të përgjithshëm mes dy shteteve. (13 nëntor)
“`