Ljubljana – Sllovenia mbështet nismat për vendosjen e kufizimeve të moshës në nivelin e BE-së dhe verifikimin e detyrueshëm të moshës së përdoruesve të platformave online, siç janë rrjetet sociale dhe ofruesit e lojërave të fatit, kanë bërë të ditur nga ministria për transformim digjital. Si moshën më të përshtatshme për përdorim të pavarur të rrjeteve sociale e shohin 16 vjeç.
“Në ministrinë për transformim digjital jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe kurthet e shumta që sjell përdorimi i rrjeteve sociale për fëmijët dhe të rinjtë, prandaj Sllovenia mbështet nismat për vendosjen e kufizimeve të moshës në nivelin e Bashkimit Evropian dhe verifikimin e detyrueshëm të moshës së përdoruesve të platformave online,” kanë theksuar.
Sipas bindjes së ministrisë, verifikimi i moshës nuk është i rëndësishëm vetëm te rrjetet sociale, por edhe te ofruesit e basteve sportive, lojërave të fatit dhe përmbajtjeve që përfshijnë pornografi ose elemente dhune, ku përgjegjësitë aktualisht nuk janë të përcaktuara qartë.
Me këtë rast kanë kujtuar se Sllovenia më 6 qershor të këtij viti, në mbledhjen e Këshillit të BE-së për telekomunikacion në Luksemburg, ka mbështetur nismën spanjolle për forcimin e mbrojtjes së të miturve nga përmbajtjet dhe rreziqet e dëmshme në internet. Përveç Sllovenisë, nismën e kanë mbështetur edhe Austria, Qipro, Danimarka, Franca, Greqia, Kroacia, Italia dhe Sllovakia. Sllovenia i është bashkuar gjithashtu propozimit grek për një kuadër të përbashkët rregullator të BE-së, i cili për qasje në platforma si TikTok, Instagram dhe Snapchat, për të miturit parashikon pëlqimin e detyrueshëm të prindërve. (10 dhjetor)
go to the original language article
