Ljubljana – Qeveria sllovene dhe përfaqësuesit e industrisë automobilistike në një takim mbi sfidat e sektorit konstatuan se sektori është në kondicion relativisht të mirë. Ata u morën vesh për masa që do ta ndihmojnë atë të përballojë një krizë të mundshme dhe të arrijë përparimin e nevojshëm inovativ. Në këtë proces llogarisin edhe në fondet evropiane.
Sipas deklaratës për media të koordinatorit të projektit të industrisë automobilistike sllovene Misija GREMO Iztok Seljak, ata u morën vesh në një takim me kryeministrin Robert Golob dhe ekipin e ministrave që do të përgatisin një projekt me të cilin do të dyfishohen fondet e dakorduara në shumën prej 200 milionë eurosh.
Në këtë proces llogarisin në fondet evropiane, shpjegoi dhe shtoi se janë marrë vesh për zhvillimin e projektit deri në fund të vitit. Më pas do të fillonin negociatat me Brukselin.
Ministri për Ekonomi, Turizëm dhe Sport Matjaž Han tha se qeveria tashmë ka miratuar një vendim për t’i drejtuar disa nga fondet e kohezionit drejt projekteve për zhvillimin e teknologjive të avancuara. Rishikimi për sektorët do të bëhet deri në shkurt të vitit të ardhshëm, dhe nga kjo mund të mblidhen nga 100 deri në 200 milionë euro sipas vlerësimit të tij.
U morën vesh edhe për masa në drejtim të diversifikimit gjeostrategjik të industrisë sllovene të furnizimit automobilistik, për të reduktuar varësinë nga prodhuesit evropianë të veturave. Ndër masat e tjera, theksuan edhe ato në fushën e debirokratizimit. (18 tetor)