17 milionë euro investim për spitalin qendror

Spitali i ri Qendror në në kompleksin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka hapur të mërkurën dyert e shërbimit për pacientët, duke nisur një epokë të re në standardin e ofrimit të shërbimeve për mjekësinë shqiptare.

I ndërtuar nga themelet për sëmundjet e brendshme, Spitali Qendror është një nga veprat më të madhe infrastrukturore në Shëndetësi, me një vlerë investimi rreth 17 mln euro me teknologji e hapësira dinjitoze për stafin mjekësor dhe pacientët.

Spitali Qendror ka një sipërfaqe ndërtimi 23,290 m2, me kapacitet 345 shtretër ku akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, rheumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.

Në spitalin e ri do të shërbejnë 612 mjekë, infermierë e profesionistë të shkencave mjekësore, gjithashtu koordinatorë e punonjës mbështetës.

Me vizionin për modernizimin e qendrës më të madhe spitalore në vend, 5 vite më parë nisi zbatimi i masterplanit për QSUT.

Pas përfundimit të veprave si Spitali Kirurgjikal “Frederik Shiroka”, Spitalit të ri Pediatrik, Spitalit Infektiv, Depos Farmaceutike QSUT,  vijon puna me intensitet për fazën e dytë të rindërtimit të Spitalit Pediatrik, e në vijim do të hapen investime të reja me projektet për rehabilitimin e Spitalit të Kardiokirurgjisë, Spitalit Psikiatrik dhe atij të Djegje-Plastikës në QSUT.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, si dhe mjekë të Qendrës vizitoi mjediset e përfunduara të spitalit, ku do të trajtohen në kushtet më optimale, mesatarisht 140 000 pacientë në vit.

Rama tha se, ky spital nuk ka asnjë dallim nga spitalet e Parisit, Milanos apo Stambollit, ndërtuar me pasion e me përkushtim të posaçëm, si një tjetër shembëlltyrë e Rilindjes së Shërbimit Shëndetësor Kombëtar./ (22 mars)

Program strehimi për mjekët

Kryeministri Edi Rama deklaroi  qeveria ka vendosur të rrisë në mënyrë agresive pagën për mjekët specialistë.

Ai bëri me dije se shumë shpejt do të publikohet një tjetër program i posaçëm për mjekët, ushtarakët dhe punonjësit e policisë, për të garantuar strehimin e çifteve të reja. “Mjekët specialistë, punonjësit e policisë dhe ushtarakët do të jenë subjekte të këtij programi ku shteti do të mbështesë kreditimin e tyre për të pasur mundësinë e marrjes së një shtëpie me kushte tërësisht të tjera nga kushtet e tregut bankar”, tha Rama.

Kryeministri shprehu besimin se, në këtë mënyrë do t’i jepet një tjetër motivim i rëndësishëm mjekëve të rinj.

Gjithashtu, shefi i qeverisë tha se shteti nuk mund të financojë më koston e studentëve të mjekësisë që largohen nga vendi.

“Ne nuk mund të ndalojmë lëvizjen e lirë, por do të bëjmë politikë tërësisht të diferencuar të kostos dhe tarifës në raport me konkretizimin e angazhimit për të qëndruar në Shqipëri për një periudhë kohe të caktuar”, ka theksuar Rama./ (22 mars)

Autonomi menaxheriale për QSUT-në

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri me dije se QSUT do të jetë spitali i radhës që po përgatitet të marrë autonominë menaxheriale, e cila mundëson më shumë hapësira vetë-administrimi të burimeve njerëzore, shpërblime në bazë performace dhe rritje të aftësive të stafeve.

Në fjalën e saj, Ministrja e Shëndetësisë tha se më shumë se 2000 mjekë specialistë do shohin të bëhet realitet, zotimi për rritjen e pagës me 500 dollarë për çdo mjek specialistë që punojnë në spitale, duke filluar nga muaji prill.

“Nëntë klasa leksionesh, ambiente ndihmëse, zgjerim të kapaciteteve të bazës praktike i krijojnë mundësinë UMT të vazhdojë me planin e shtimit të kuotave të studimit, dhe vazhdimësinë e hapjes së specializimeve”, – u shpreh Manastirliu./ (23 mars)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.