Spitali Infektiv qendër reference për sëmundjet infektive

Projekti për rehabilitimin e plotë dhe zgjerimin e Spitalit Infektiv ka përfunduar dhe tashmë spitali i ri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka hapur dyert për të ofruar shërbim mjekësor të standardeve më të larta për pacientët.

Spitali Infektiv është transformuar në një qendër reference kombëtare ekselence për sëmundjet infektive, me kushtet dhe standardet më të larta ndërkombëtare, për t’iu përgjigjur me përkushtim e profesionalizëm të lartë çdo emergjence të shëndetit publik.

Përmes një financimi prej 5,6 milionë eurosh të qeverisë shqiptare, ky spital kthehet në një qendër të vërtetë të referencës kombëtare për sëmundjet infektive me standardet më të larta.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shprehën se pas një investimi të nisur në pranverë u mundësua transformimi në themel i Spitalit Infektiv me një kapacitet deri në 130 shtretër, 50 shtretër më shumë se kapacitetet e dikurshme.

Spitali Infektiv do të ketë një reanimacion të dyfishuar në kapacitetet e tij dhe mund të shkojë në trefish, në rastet e emergjencave shëndetësore.

Rindërtimi i Spitalit Infektiv vjen në kuadër të planit të qeverisë për përballimin e emergjencave shëndetësore, me fuqizimin e kapaciteteve në sistemin spitalor dhe Planin e Masave për përgjigjen ndaj pandemisë Covid-19./ (21 nëntor 2022)

Kompleks spitalor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Kryeministri Edi Rama ka theksuar mbështetjen e qeverisë në sektorin e shëndetësisë jo vetëm për nga ana e krijimit të kushteve spitalore, por në rritjen 100% të pagave të mjekëve dhe infermierëve deri në fund të mandatit qeverisës.

“Ambicia jonë është që raportin e pagës ta çojmë 100% në raport me pikënisjen. Me buxhetin e ri shkojmë në 70%,’’ është shprehur Rama gjatë ceremonisë së hapjes së Spitalit Infektiv.

Kryeministri ka theksuar ambicien që brenda këtij mandati qeverisës do të ngrihet një kompleks spitalor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tërësisht i transformuar.

Rama shprehu mbështetjen edhe për investimet që do të vijojnë edhe në qytetet e tjera të vendit për ta përmbyllur të gjithë mozaikun e infrastrukturës së shëndetësisë dhe për ta transformuar atë tërësisht.

“Ambicia për periudhën në vijim është shtrirja e autonomisë spitalore për të bërë të mundur rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve sipas performancës, në mënyrë që kush punon më shumë dhe kush ofron më shumë në dispozicion të shërbimit kombëtar shëndetësor të fitojë edhe më shumë sesa paga tavan’’, theksoi kryeministri Rama./ (21 nëntor 2022) 

Spitalet, bazë didaktike dhe shkencore për studentët

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka theksuar se dimensionet e kapaciteteve dhe funksioneve të Spitalit të Ri Infektiv e kanë transformuar plotësisht, duke krijuar kushte të veçanta për ndërhyrje të rralla kirurgjikale, por edhe hapësira auditori, sipas premtimit të Paktit për Universitetit.  

Sipas saj, përfundimi i këtij investimi çel një epokë të re të ndërveprimit me spitalet e qyteteve të tjera.

Ajo nënvizoi se spitalet tona janë dhe baza didaktike dhe të kërkimit shkencor për studentët dhe specializantët.

“Mjediset që studentët do të kenë dhe janë tashmë gati edhe në këtë strukturë spitalore, me auditoriumin fantastik, me klasat e reja që kemi ndërtuar, janë një investim për brezat e ardhshëm të mjekëve, infermierëve të rinj në vendin tonë”, u shpreh Manastirliu.

Investimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e Qeverisë do të vijojnë me përfundimin në fund të vitit të Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, faza e Dytë e Spitalit Pediatrik, rehabilitimi i Spitalit të Kardiologjisë, Psikiatrisë, Kirurgjisë Plastike. Ndërsa në rrethe kantieret do të jenë nga Kukësi e Dibra, e deri në Gjirokastër, me investimet në rrjetin e qendrave shëndetësore dhe spitaleve në vend./ (19 nëntor 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.