Qeveria merr vendimin për studentët e Mjekësisë
Studentët e Mjekësisë, të cilët do të nisin vitin akademik 2023-2024, do ta marrin diplomën vetëm pas pesë viteve shërbim në vendin e tyre dhe jo menjëherë pas përfundimit të studimeve.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur të mërkurën miratimin në Këshillin e Ministrave të projektligji për trajtimin prioritar të studentëve të Mjekësisë dhe punësimin e tyre në Shqipëri.
Rama u shpreh se shteti e financon universitetin publik, në këtë rast formimin e mjekëve të rinj, për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet.
Në kushtet, vijoi Rama, kur edhe Gjermania dhe vendet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, me plakjen e popullsisë, me nevojën për burime të freskëta njerëzore që duhet të vijnë nga jashtë dhe kur janë bërë stacioni i ndalesës së fundit për shumë profesionistë,në këtë rast mjekët, ne e kemi absolutisht të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap.
Ai theksoi se për t’u pajisur me diplomë, studentët e Mjekësisë duhet të punojnë pesë vjet në shërbim të qytetarëve.
“Nëse duan të studiojnë mjekësi në universitetin publik duhet të pranojnë këtë kusht dhe nuk është një kusht, por është formati i ri i Universitetit të Mjekësisë”, theksoi Rama./ (5 korrik)
Punësim prioritar dhe politika lehtësuese për studentët
Ministria shqiptare e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar detaje të projektligjit të miratuar nga qeveria që synon kryesisht plotësimin e nevojave të sistemit shëndetësor me mjekë, shpërndarjen më të mirë të tyre si dhe parandalimin e largimit të mjekëve për të punuar jashtë vendit duke ofruar trajtim të veçantë për studentët e mjekësisë dhe motivimin e tyre që të vazhdojnë të punojnë në Shqipëri.
Ministria ka theksuar se studentët që kanë fituar të drejtën të regjistrohen në vit të parë, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë marrëveshje me MAS, MSHMS dhe UMT, për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve, për një afat pesëvjeçar në institucionet shëndetësore në Shqipëri, si dhe për të tërhequr diplomën vetëm pas përmbushjes së detyrimit për punësim.
Sipas këtij vendimi, studentëve aktualë do t’u ofrohet mundësia të nënshkruajnë marrëveshje me MAS, MSHMS dhe UMT, për të punuar në profesionin e mjekut në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, përkatësisht studentët e vitit të dytë deri në të katërt për tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë për dy vite, si dhe për të tërhequr diplomën e tyre pas përmbushjes së detyrimit për punësim.
Studentët nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë që nuk pranojnë të nënshkruajnë marrëveshje, do të paguajnë vlerën e plotë të kostos së studimeve për çdo vit akademik të mbetur.
Për të gjithë studentët nënshkrues të marrëveshjes, trajtimi i veçantë konsiston në të drejtën e punësimit me prioritet në institucionet shëndetësore dhe përfshirjen me prioritet në programet sociale të strehimit.
Në rast mospunësimi të studentëve brenda një viti kalendarik, nga data e lindjes së të drejtës për punësim, ky detyrim konsiderohet i përmbushur dhe studenti ka të drejtën të pajiset me diplomën përkatëse universitare./ (6 korrik)
500 kuota për vitin e ardhshëm akademik
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka folur për një plan të gjerë të përgatitjes, mbajtjes dhe fuqizimit të burimeve njerëzore në shëndetësi.
Manastirliu ka deklaruar se do të rriten kuotat e pranimit në Universitetin e Mjekësisë për vitin akademik 2024-2025, duke shkuar në 500 kuota.
Ministrja informoi mbi projektligjin e miratuar nga qeveria për një paketë mbështetjeje për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të ciklit të dytë të studimeve në mjekësi të përgjithshme, në institucionet publike të arsimit të lartë.
Sipas saj, “ky projektligj ka ardhur pas një analize të thellë për kapacitetet e burimeve njerëzore në gjithë sistemin shëndetësor publik e jo publik”.
Manastirliu theksoi se ky indikator në vitin 2013 ka qenë 1,2 mjekë për 1 000 banorë, ndërsa me rritjen e kuotave të specializimeve por edhe me investimet dhe punësimet meritokratike përmes portaleve është rritur.
Ajo theksoi se në vitin 2022 kishim 1,9 mjekë për 1 000 banorë.
“Jemi ende larg mesatares së OECD-së dhe vendeve të rajonit. Në rajon kjo mesatare është 2,7 mjekë dhe ajo e OECD-së është 3,6”, deklaroi Manastirliu./ (7 korrik)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.