Gjatë këtyre viteve të fundit sektori i peshkimit në Shqipëri ka një sërë lehtësish fiskale si heqja e akcizës për karburantin, heqja e taksës së karbonit, zero TVSH për rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, frigoriferët dhe motorët e anijeve të peshkimit.
Vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 eksportet e peshkut të freskët dhe të përpunuar u rritën me 22,3%. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rurale Shqipërisç thotë se “zgjerimi i eksportit të këtij sektori është mbështetur nga rritja e investimeve në industrinë përpunuese, prodhimet e të cilave janë mjaft të kërkuara nga tregjet e huaja”.
Referuar të dhënave të INSTAT në tremujorin e parë të vitit 2022, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore ka qenë 20,503 tonë nga 16,892 tonë që ishte në vitin 2021, ose një rritje prej 9,53%.
Kategoritë kryesore që zënë përqindjen më të lartë të peshkimit janë “akuakultura” me 43,60% dhe peshkimi detar me 28,06%, pasuar nga “ujërat e brendshme” me 19,15%.
Gjatë kësaj periudhe rritjen më të madhe e ka shënuar kategoria “laguna” me 248,64 % të produktit, krahasuar me një vit më parë, e ndjekur nga kategoria “bregdeti” me 127,87% dhe kategoria “molusqe” me 108,0%.
Për sa i përket kategorive ujore, det, bregdet dhe laguna, specia e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe të zënë është “açuga” me 19,04%, pasuar nga “karkaleci i thellësisë” me 16,42 % dhe “merluci” me 11,16%.
46 operatorë të peshkimit janë përfitues të thirrjes së tretë të granteve të peshkimit me një shumë investimi mbi 820,000 euro.
Shqipëria eksportoi në 27 destinacione botërore, nga vetëm tre shtete në vitin 2013./ (12 gusht 2022)
Subvencionim i naftës për peshkimin
Nga data 1 korrik 2022 deri më 31 dhjetor 2022 qeveria shqiptare do të mbështesë peshkatarët që të përfitojnë naftë me kosto të ulët, me 40 lekë/litri, për anijet e peshkimit për të përballuar rritjen e madhe të çmimit të naftës dhe kostot e peshkimit. Në mbledhjen e fundit qeveria miratoi një fond shtesë prej 200 milionë lekësh për subvencionimin e naftës për peshkim.
Nga ky fond do të përfitojnë 203 anije peshkimi në vend. Kjo mbështetje duket e rëndësishme nëse mendohet se nafta që konsumohet nga anijet e peshkimit deri në fund të vitit arrin në rreth pesë milionë litra.
Ndërkohë, buxheti i i këtij viti adreson mbështetje për peshkatarët me investime të shtuara në flotën e peshkimit, në akuakulturë dhe në infrastrukturën e ndërlidhur me këtë sektor. Me një fond prej 702 milionë lekësh po investohet në përmirësimin e infrastrukturës së flotës së peshkimit dhe të akuakulturës.
Vëmendje të veçantë ka marrë ndërtimi i dhomave frigoriferike dhe të merkatove të reja të peshkimit sipas standardeve më të mira evropiane./ (9 gusht 2022)
Peskaturizmi si diversifikim i ofertës turistike
Turizmi i peshkimit synon të kthehet në një praktikë të qëndrueshme të turizmit detar.
Peskaturizmi (kombinimi i turizmit me peshkimin), po shihet si një ofertë e re që do t’iu ofrohet turistëve vendas dhe të huaj për rritjen e të ardhurave për peshkatarët amatorë.
Iniciativa “Promovimi i Peskaturizmit në Zonat e Mbrojtura Detare/Bregdetare të Shqipërisë”, e financuar nga UNDP Albania, është duke u zbatuar nga kompania e konsulencës në bashkëpunim me institucionet e linjës në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Aktualisht ka nisur një aksion pilot i realizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Peshkatarëve Amatorë dhe menaxherëve të parkut, që po ngjall shumë interes te vizitorët.
Ekspertët shprehen se kjo iniciativë mund të ofrojë të ardhura shtesë për peshkatarët si dhe mund të sjellë një diversifikim të ofertës për operatorët turistikë, të cilët kanë një ndikim të qëndrueshëm në burimet e peshkimit turistik./ (8 gusht 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.