Takimi i 15-të i Nënkomisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë vlerësoi progresin e vazhdueshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe autoritetet shqiptare diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në fushën e reformës në drejtësi, antikorrupsionit, të drejtave themelore, azilit dhe migracionit, politikës së vizave, luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër pastrimit të parave dhe kundër terrorizmit. Takimi u bashkëkryesua nga Alberto Cammarata, Shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian (Komisioni) dhe Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Antikorrupsionin dhe Administratën Publike dhe nga Besfort Lamallari, Zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë.

Gjatë tryezës u theksua rëndësia e miratimit në kohë të masave të nevojshme të tranzicionit dhe përfundimi në kohë i procesit të rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu) në apel. Komisioni kujtoi gjithashtu nevojën për të trajtuar rekomandimet e pazgjidhura të GRECO-s.

Lidhur me të drejtat themelore, Komisioni nënvizoi nevojën për progres në fushën e lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe pluralizmit, si dhe përafrimin me acquis të BE-së për mbrojtjen e të dhënave. Komisioni vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin operacional me agjencitë e BE-së, në veçanti me Frontex dhe Europol, si dhe me shtetet anëtare të BE-së, si dhe zbatimin e mirë të Planit të Përbashkët të Veprimit kundër terrorizmit. Komisioni e nxiti Shqipërinë që të forcojë bashkëpunimin me Agjencinë e BE-së për Drogën dhe të ngrejë një observator kombëtar të drogës, si dhe një sistem paralajmërimi të hershëm.

Lidhur me migracionin, Komisioni vlerësoi progresin e mirë të Shqipërisë në zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor të miratuar në dhjetor 2022. Komisioni më tej kërkoi vendosjen e bashkëpunimit për ripranimin me vendet kryesore të origjinës, për të garantuar kthime efektive të personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë. Komisioni vlerësoi heqjen e Shqipërisë nga lista gri e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF)./ (27 mars)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.