Dokumentari “Të përgjuarit” nga Oksana Karpovych, pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut u shfaq në Tiranë në Kuvendin e Shqipërisë.
Të pranishëm në shfaqjen e dokumentarit që sjell një pasqyrë prekëse dhe tronditëse mbi implikimet morale dhe ligjore të luftës në Ukrainë, ishin kryeparlamentarja shqiptare, Elisa Spiropali dhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov sikundër dhe ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut është një aktivitet që mbështetet nga Bashkimi Evropian.
Duke theksuar aspektet njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, dokumentari “Të përgjuarit” nga Oksana Karpovych na kujton nevojën për llogaridhënie, drejtësi dhe respekt për dinjitetin njerëzor.
Gnzato falënderoi Spiropalin për hapjen e Kuvendit ndaj aktivitetit, duke shtuar se vështrimet e ofruara nga filma si “Të përgjuarit” tregojnë se si dezinformimi dhe manipulimi ndikon në perceptimin e njerëzve për konfliktet, se si i zhvesh nga vlerat njerëzore viktimat e tij dhe çon në mizori.
“Në të njëjtën kohë, filmi na tregoi se mund të ketë dhembshuri dhe respekt edhe në situata si konflikti në Ukrainë. Arti mund të jetë një aleat i fuqishëm për promovimin e vlerave universale”, u shpreh Gonzato. (23 shtator)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.