Thirrja e tretë e programit “Challenge Fund” mbështet idetë inovative në sipërmarrje në fusha të ndryshme të ekonomisë kreative dhe teknologjisë.
EU4Innovation në Shqipëri ka kryer sesione të shumta informuese për të rinjtë që duan të aplikojnë për thirrjen e tretë të “Challenge Fund”.
Në një sesion informues ku morën pjesë edhe zyrtarë të Ministrisë shqiptare të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u fol në lidhje me mundësitë e reja që programi ofron për startup-et dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme shqiptare, duke mbështetur zgjidhje inovative në faza të ndryshme të zhvillimit.
Takimi mblodhi mbi 40 pjesëmarrës nga fusha të ndryshme si ekonomia kreative, teknologjia, artizanati dhe shërbimet turistike, profesionistë dhe sipërmarrës të angazhuar në krijimin e ideve dhe zgjidhjeve të reja për tregun shqiptar.
Përmes programit “Challenge Fund” janë akorduar deri tani 40 grante me një total financimi prej 712,552.08 euro.
Programi financon 3 kategori: Ide dhe Validim – 10,000 euro (5% bashkëfinancim), Faza e Rritjes – 20,000 euro (20% bashkëfinancim), Shkallëzim (Scale-Up) – 30,000 euro (30% bashkëfinancim).
Zëvendësministri shqiptar i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Sokol Duma i pranishëm në takim bëri të ditur se, së bashku me “EU4Innovation”, janë investuar mbi 11.7 milionë euro për të fuqizuar ekosistemin e inovacionit dhe startup-et shqiptare, duke mbështetur programe inkubimi, akselerimi dhe pjesëmarrjen e tyre në evente ndërkombëtare. (20 mars)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.