Mbi 200 filma në garë

Tirana International Film Festival (TIFF) zhvilloi në shtator edicionin e tij të 20-të si një histori suksesi që nisi në 2003 dhe tashmë cilësohet si një nga eventet kulturore më të rëndësishme të Ballkanit dhe Evropës.

Festivali, i cili u zhvillua nga 24-30 shtator, për herë të parë pati si partnere zyrtare Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH). Gjeografia e pjesëmarrjes në këtë event kulturor ishte e gjerë me filma nga Evropa, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut, Azia dhe Afrika. Rreth 100 regjisorë, producentë, distributorë, dhe aktorë nga vende të ndryshme të botës, morën pjesë në këtë festival.

Nga 2 918 filma që aplikuan këtë vit nga 109 vende të botës u përzgjodhën 243 filma, nga të cilët 209 filma të metrazhit të shkurtër dhe 34 filma të metrazhit të gjatë. Të gjithë filmat e përzgjedhur ishin premiera kombëtare si edhe premiera botërore, evropiane dhe ballkanike të cilët  garuan në kategoritë: Feature, EYE on TIFF, Film Aksion i shkurtër, Animacion, Film Dokumentar të të gjitha gjatësive, filma studentorë, Video Art & Eksperimental, Filma ballkanike & Film shqip.

Organizatorët krenohen që Tirana International Film Festival është përzgjedhur ndër 29 festivalet më të mira evropiane, krahas simotrave të Venecias, Kanës, Lokarnos dhe Berlinit për të kandiduar filma në European Film Academy Awards.

Të frymëzuar nga ky vlerësim maksimal, organizatorët shprehen se kanë dhënë maksimumin që edhe edicioni i 20-të të ishte i suksesshëm.

Një tjetër arritje e këtij festivali është fakti se Akademia Oscar e ka klasifikuar  TIFF si një nga festivalet zyrtare me atributin e nominimit për Oscar për Çmimin e Filmit më të Mirë të Shkurtër.

Ky edicion jubilar u transmetua edhe online për ndjekësit e shumtë në Shqipëri dhe në botë./ (01 tetor 2022)

Fitues i TIFF edhe filmi për gratë iraniane

Filmi më i mirë i mirë i festivalit është shpallur filmi polak “Illusion” nga Marta Minrowicz, që fitoi çmimin “Bufi i artë”.

“Bufin e argjendtë” e ka fitoi “The Den” nga regjisorja Beatrice Baldacci. 

“The Red Suitcase”, i regjisorit Cyrus Neshvad, nga Luksemburgu, ka arritur të marrë dy çmime “Bufi i artë”; atë për Best Short Film TIFF 2022 si edhe Best European Short Film.

Të dy këto çmime të rëndësishme, i japin filmit mundësinë e kualifikimit për në Oscar, ceremoni që do të zhvillohet në 2023 si dhe për t’u kualifikuar në European Film Awards. 

Filmi ka në qendër figurën e gruas në Iran, që jeton midis të shkuarës dhe të ardhmes. “Ndërkohë që ne po bënim një film këtu për gratë në Iran, gratë po vriten. Sot jam duke menduar seriozisht për to dhe për luftën që ato po bëjnë”, tha Cyrus Neshvad, regjisori i filmit. 

Regjisori më i mirë u vlerësua Vaclac Kadrnka për filmin “Saving one who was dead”. Filmi i Kadrnka ishte bashkëprodhim mes Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Francës. Me çmimin “Skenari më i mirë” juria vlerësoi Ellie Foumbi për skenarin e filmit “Our father, the devil”, film amerikano-francez i vitit 2021. Mes shumë të përzgjedhurve të tjerë, të këtij festivali, do të veçojmë dy artistë, të vetmet shqiptare që morën çmime në TIFF 2022. Ato janë Keti Stamo, në kategorinë Best Made in Albanian, me filmin “Sons of Cain” (Bijtë e Kainit), si dhe Flaka Kokolli, nga Kosova, e cila u vlerësua me Best Short Film in Albanian, për filmin “Shpija”./ (30 shtator 2022)

Dita e filmave në gjuhën shqipe

FOCUS këtë vit i është dedikuar regjisorit më të madh finlandez të të gjitha kohërave, Aki Kaurismaki me një retrospektivë nga krijimtaria më e mirë filmike e tij e vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare.

TIFF u çel me filmin dokumentar të regjisorit  të njohur Giuseppe Tornatore, që i dedikohet Ennio Morricone dhe që u shfaq vitin e kaluar në Venecia.

Organizatorët i kushtuan një hapësirë të veçantë programeve speciale dhe projektimeve jashtë gare, që kishin lidhje me tematika me ndjeshmëri të lartë sociale, të përmbledhura në seksionin “Panorama”.

Themeluesi dhe drejtori i TIFF, Agron Domi theksoi se ky edicion pati një vëmendje të veçantë ndaj fëmijëve, të cilët ndoqën filmat e përzgjedhur, të ndara në dy nënkategori sipas moshave: KIDs Program -10 dhe KIDs Program +11.

Një nga kategoritë më interesante të Tirana International Film Festival ishte edhe “Made in Albania” ku mes katër produksioneve shqiptare, ishin edhe dy emra të njohur për publikun si Erion Kame dhe Artur Gorishti, regjisori nga Kosova, Ismet Sijarina si dhe regjisorja Keti Stamo.

Dy prej produksioneve në “Made in Albania” ishin dokumentarë: “Purgator ’90” i prodhuar në Kosovë nga Ismet Sijarina, 75 minuta, dhe “Bijtë e Kainit”, 69 minuta, nga Keti Stamo. 

Aktori i njohur Artur Gorishti mori pjesë në TIFF si regjisor i filmit “Winter Fireflies”, prodhim i vitit 2022, prej 149 minutash. Gorishti ka qenë regjisor edhe në dy filmave të metrazhit të shkurtër “Kurth” dhe “Breath”.

Ndërsa Erion Kame konkurroi me “A life with you”, 76 minuta, film i cili në TIFF kishte premierën absolute. Filmi trajton një çift në krizë, të cilëve asgjë s’po u shkon siç duhet./ (26 shtator 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.