Varhelyi: Plan të përshpejtuar për integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor
Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Verhelyi deklaroi nga Tirana se “Komisioni Evropian do të sjellë një plan të ri, që do të ketë për synim edhe përshpejtimin e integrimit ekonomik dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësi të integrohen në tregun e vetëm të BE-së, ende përpara se të ndodhë anëtarësimi në BE”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministren e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock, Varhelyi tha se Procesi i Berlinit është platformë shumë e mirë dhe plotësuese për axhendën e zgjerimit.
“Po flasim për projekte të mëdha politike, por edhe për jetën e përditshme të qytetarëve dhe se si do ta sjellim Evropën këtu në Ballkanin Perëndimor për qytetarët dhe bizneset”, nënvizoi Varhelyi.
Komisioneri tha se janë mobilizuar rreth 15 miliardë euro në financime, projekte, grante, investime publike, pra rreth 54 projekte të mëdha investimesh.
“BE tregon rezultate në punët e saj për bizneset e për qytetarët. Ne po ndërtojmë, rrugë, hekurudha, kanale, impiante me energji diellore, me erë, impiante për trajtimin e ujërave të mbetura. Po sjellim investime të rëndësishme për sektorin privat për të shndërruar ekonominë tuaj. Ne po investojmë edhe në kapitale njerëzore në mënyrë që ekonomitë tuaj të jenë gjithnjë e më shumë tërheqëse për investitorët e huaj”, tha Varhelyi./ (6 tetor)
Baerbock: Koha që BE të mbajë premtimet për Ballkanin Perëndimor
Ministrja për Punët e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock deklaroi në Tiranë se ka ardhur koha që Bashkimi Europian të mbajë premtimet që ka bërë prej kohësh, ndërsa shtoi se duhet të shpejtohet ritmi i integrimit në Bashkimin Europian.
Në konferencën për median pas ministerialit, Baerbock theksoi se është veçanërisht e qartë se e ardhmja e të rinjve të rajonit gjendet në Evropë.
“Nëse Evropa nuk shkon tek ata, ata do ta gjejnë një rrugë drejt saj. Ndaj të gjithë duhet të shpejtojmë ritmin e integrimit në BE. Vizita në Kiev na ka bërë të qartë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e shndërron anëtarësimin në BE të rajonit të Ballkanit Perëndimor të domosdoshëm në dimensionin gjeopolitik”, tha ajo.
“Ne duam të ecim krah për krah me ju në rrugën drejt BE-së. Për këtë lipsen reforma të reja dhe të domosdoshme në rajon, por edhe që ne të përpiqemi bashkërisht brenda për brenda BE-së. Ka ardhur koha që BE të mbajë premtimet që kemi dhënë para shumë kohësh”, përfundoi ajo./ (6 tetor)
Hasani: Procesi i Berlinit propozime që përmirësojnë zhvillimin ekonomik të Ballkanit
Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani tha në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë se ky takim është ministeriali i fundit në serinë e tre ministerialeve që i paraprijnë samitit në Tiranë.
Ai theksoi se “situata aktuale gjeopolitike, me agresionin rus në Ukrainë dhe me tensionet në rritje në zona të ndryshme të rajonit tonë, ka prodhuar shumë sfida që kërkojnë vëmendje dhe adresim”.
“Samiti i Procesit të Berlinit dhe të tri ministerialet që i paraprinë, janë në thelb një mundësi për të diskutuar se çfarë forme mund të marrë ky angazhim”, tha Hasani.
Procesi i Berlinit mbështetet në tre shtylla: perspektiva evropiane, zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe krijimi i një atmosfere pajtuese në rajon, përfshirë dhe përmirësimin e performancës ekonomike të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Hasanit, samiti i këtij viti do të fokusohet kryesisht në shtyllën e tretë.
“Në tryezë janë disa propozime, jemi optimistë që do të përmirësojnë ndjeshëm zhvillimin ekonomik të rajonit. Janë propozime që janë në plotësisht në linje me Planin e Rritjes të propozuar nga presidentja e Komisionit Evropian Von Der Leyen, për Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai./ (6 tetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.