“Tradita ime artizanale” në Elbasan, qytet në Shqipërinë e Mesme, është një ndërmarrje sociale që ruan trashëgiminë kulturore duke punësuar gra nga grupe të cenueshme apo të margjinalizuara, veçanërisht ato nga zonat rurale.
Në këtë ndërmarrje sociale janë të punësuara 16 gra përmes projektit “TWIST -Drejt një modeli të ri të sipërmarrjes sociale në pasuritë e konfiskuara në Shqipëri”, financuar nga BE-ja.
“TWIST- Drejt një modeli të ri të sipërmarrjes sociale në pasuritë e konfiskuara në Shqipëri”, është një projekt trevjeçar i cili synon të kontribuojë në forcimin e efektivitetit të sipërmarrjes sociale si një praktikë e mundshme për rritjen e ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar dhe si një model efektiv i ekonomisë gjithëpërfshirëse apo biznesit social për të ofruar shërbime, aftësi, punësim dhe mbështetje për grupet e cenueshme, siç janë viktimat e krimit të organizuar.
Gratë artizane në “Tradita ime” trajnohen dhe më pas punësohen për të prodhuar artikuj të punuar me dorë si qilima, mbulesa tavoline, çanta me grep, kuleta, kapele, doreza dhe çorape. Duke përdorur tezgjahë tradicionalë dhe materiale vendase si leshi i deleve, ato kanë krijuar një markë që tërheq si klientët shqiptarë ashtu edhe ata ndërkombëtarë. Produktet e tyre përfshijnë motive tradicionale shqiptare nga Elbasani dhe rajone të tjera, si dhe simbole kombëtare dhe dizajne sezonale si Babagjyshi i Vitit të Ri, duke synuar t’u shërbejnë audiencave të ndryshme. Hapësira e tyre e punës është rinovuar dhe përshtatur për të ofruar kushtet e nevojshme.
Gra me prejardhje të ndryshme janë mbledhur këtu për të ruajtur zanatet tradicionale duke mbështetur familjet e tyre, pavarësisht sfidave me të cilat përballen. (13 nëntor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.