Mbi 40 aktivitete në jug të Shqipërisë

“South Outdoor Festival” në Borsh, 230 kilometra në jugperëndim të Tiranës, tashmë simbol i fillimit të sezonit turistik veror, ka bashkuar edhe këtë vit turistë shqiptarë e të huaj me artin, muzikën, traditën, sportet dhe mbi të gjitha me natyrën.

Me qëllim promovimin e turizmit të qëndrueshëm gjithëvjetor në fshatrat e bregdetit jonian, si një kombinim i turizmit të detit me atë të traditës e aventurës, turistët vendas dhe të huaj e kthyen jugun e Shqipërisë në një arenë festimesh e argëtimesh.

“South Outdoor Festival” ofroi për tre ditë (25-27 maj) mbi 40 aktivitete të ndryshme si kampingje, aktivitete nga ajri, deti, ecje në natyrë për turistët e aventurës dhe aktivitete kulturore, ku përveç bregdetit turistët u njohën edhe me historinë dhe trashëgiminë kulturore.

Gjithashtu u ofruan mbi 30 aktivitete për fëmijë me workshop-e, forume dhe lojëra të ndryshme, ku nuk munguan në mbrëmje koncertet dhe festat nën tingujt e artistëve dhe DJ vendas dhe ndërkombëtarë.

Turizmi i qëndrueshëm dhe bujqësia ishin ndër të tjera tematika kryesore të forumit të organizuar në “South Outdoor Festival” nga GIZ Shqipëri dhe Ambasada Gjermane Tiranë, në kuadër të 35-vjetorit të Bashkëpunimit Gjermano-Shqiptar për Zhvillim.

Me qëllim promovimin e turizmit të qëndrueshëm gjithëvjetor në fshatrat e bregdetit jonian, si një kombinim i turizmit të detit me atë të traditës e aventurës, turistët vendas dhe të huaj e kthyen jugun e Shqipërisë në një arenë festimesh e argëtimesh./ (27 maj)

UNUM dhe Kala Festival, kartëvizita të Shqipërisë turistike

Bregdeti i Dhërmiut, 220 kilometra në jugperëndim të Tiranës, do të presë nga 31 maji deri më 6 qershor “Kala Festival”, ku qindra të rinj të huaj dhe shqiptarë do të shijojnë aventurën verore mes riteve të muzikës dhe mrekullive të peizazhit që ofron riviera shqiptare.

Kjo festë ndërkombëtare e kthyer tashmë në traditë sjell mbi 3 000 vizitorë nga Britania e Madhe dhe shumë të tjerë nga Evropa për të festuar në bregdetin shqiptar.

 “Kala Festival”, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.

Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë. Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës Shqiptare.

Ndërsa në Shëngjin, 75 kilometra në veriperëndim të Tiranës, do të mbahet nga 1-6 qershori festivali ndërkombëtar i muzikës elektronike, UNUM. Ky festival do të mbledhë mijëra të rinj nga Evropa, duke u kthyer në kartivizitë prestigjioze të Shqipërisë turistike.

“Këtë vit ky festival vjen me mbi 90 artistë nga e gjithë bota, por edhe me ndjeshmërinë për mjedisin, me aktivitete për mirëmbajtjen e zonës dhe pastrimit, ndarjes së mbetjeve për riciklim, që janë po aq të rëndësishme sa vetë muzika”, tha ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Gjatë ditëve të këtij festivali do të zhvillohen aktivitete sportive, muzikore e promovuese të bregdetit shqiptar, të gjitha nën kurorën e mjedisit e zhvillimit të qëndrueshëm./ (28 maj)

1,7 milionë turistë në katër muajt e parë të vitit 2023

Rreth 1,7 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë në katër muajt e parë të këtij viti. Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), numri i shtetasve të huaj që vizituan vendin në periudhën janar-prill, shënoi rritje me 57 %.

Në 4-mujorin e parë të vitit, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1 626 852 shtetas, pasuar nga SHBA dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 36 265 dhe 9 767 shtetas. Edhe numri i shtetasve shqiptarë që udhëtuan jashtë vendit shënoi rritje.

Sipas INSTAT-it, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë katërmujorit të parë 2023, është 1 957 678, duke u rritur me 30,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga të dhënat e INSTAT-it vihet re se, numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë për pushime apo vizitë tek të afërm është rritur me 58,3 %, ndërsa për biznes me 15,7 %./ (29 maj)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.