Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi përcolli mesazh në aktivitetin e organizuar në Tiranë me fokus energjizimin e administratës publike me qëllim rritjen e profesionalizimit dhe performancës duke fuqizuar mirëqeverisjen, rendin ligjor dhe antikorrupsionin.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

”Administrata publike duhet të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët dhe profesionistët. Ne po bëjmë gjithçka për t’iu mbështetur ju dhe partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor që ta keni këtë gjë”, deklaroi Varhelyi.

Sipas tij, modernizimi i administratës publike, është një pjesë e rëndësishme por sfiduese e negociatave në procesin e zgjerimit.

“Kjo kërkon një punë të vazhdueshme dhe për këtë arsye kemi punuar së bashku me ju që nga fillimi për një reformë të administratës publike të dedikuar brenda kornizës së procesit të anëtarësimit”, tha eurokomisioneri.

“Konkluzioni ynë është se Shqipëria ka arritur vërtet shumë tashmë në Reformën e Administratës Publike. Megjithatë është mirëkuptimi ynë i përbashkët se ka ende vend për përmirësime”, theksoi ai./ (12 shkurt)