Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi gjatë vizitës së saj në Shqipëri se studentët e Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë do të jenë udhëheqësit e Europës së sotme dhe të ardhme.
Der Leyen mori pjesë në ceremoninë e çeljes së vitit akademik të Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama.
Më herët, ata patën një takim dypalësh dhe një dalje për mediet në të cilën Der Leyen përgëzoi Shqipërinë për përparimin e bërë dhe foli dhe për ecurinë e negociatave.
“Javën e shkuar së bashku ne hapëm grup-kapitullin e çështjeve themelore dhe e diskutuam që nëse bëjmë punë shumë të mirë atëherë të gjithë grup-kapitujt mund të hapen deri në fund të vitit të ardhshëm”, tha ajo.
Ndërsa duke folur në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik, ajo vuri në dukje se Kolegji i Evropës është shumë më shumë sesa një universitet i thjeshtë.
“Kjo ishte një nga ato tullat e para të integrimit europian, para qymyrgurit e çelikut, e gjitha filloi me një kolegj”, deklaroi Von der Leyen.
Von der Leyen deklaroi se familja europiane po përgatitet të zgjerohet.
“Jemi në një moment historik, pasi familja jonë po përgatitet për ribashkimin e saj, një bashkim në të cilin do të bëhen bashkë të gjithë popujt që jetojnë ndërmjet Detit të Zi dhe Adriatikut”, deklaroi ajo.
Shqipëria do të marrë më shumë se 920 milion euro nga plani i rritjes.
Nga ana e tij, Kryeministri shqiptar, Edi Rama theksoi se Shqipëria nuk ka asnjë “plan B”, veç anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Rama theksoi se “ndonjëherë demokracia ngjan sikur nuk funksionon mirë, por për hir të kësaj të shkosh kundër BE-së, duke parafytyruar e parashikuar një të ardhme të nesërme jashtë BE-së është thjesht pa kuptim”.
“Çdo gjë që ju zemëron apo ju bën të pavendosur apo zhgënjyer në raport me BE-në duhet të shërbejë jo për të luftuar apo për t’iu bashkuar betejave kundër BE-së, por të shërbejë për të luftuar mbrapsht për të pasur një BE më të mirë”, iu drejtua Rama studentëve të Kolegjit të Evropës në Tiranë. (24 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.