Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi nga Tirana ku mbajti fjalën e hapjes në Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Përëndimor se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së.
Von der Leyen vlerësoi punën e bërë nga qeveria shqiptare dhe theksoi se mbështet ambicien e kryeministrit shqiptar Edi Rama për mbylljen e grup-kapitujve deri në fund të vitit 2027.
“Ju keni bërë një rrugë të gjatë, keni bërë progres, por dua të theksoj se është një progres i mrekullueshëm, në një shpejtësi rekord dhe një përshpejtim i vërtetë në tre vitet e fundit.
Më tej Presidentja e KE-së theksoi se ekonomia shqiptare ka fituar akses në tregun e përbashkët dhe në investimet e reja të BE-së.
Von der Leyen vuri në dukje mbështetjen që po merr Shqipëria. Sipas saj, me përmbushjen e reformave Shqipëria mund të aksesojë të gjithë fondin në bazë të Planit të Rritjes, rreth 1 miliardë euro.
Po ashtu, me hyrjen e Shqipërisë në SEPA, transferimet e parave mes Shqipërisë dhe BE-së janë më të sigurta dhe të lira.
“Shembull i tretë është roaming. Ne arritëm një marrëveshje me operatorët në 2023-shin dhe vitin që vjen ne do të heqim të gjitha tarifat e roaming midis Shqipërisë dhe BE-së”, tha Von der Leyen.
Nga ana e tij, Kryeministri shqiptar Edi Rama nënvizoi faktin se Shqipëria është duke ecur me shpejtësi në procesin e negociatave me Bashkimin Europian dhe vlerësoi mbështetjen e Komisionit Europian në këtë proces.
Kryeministri falënderoi KE-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe veçanërisht presidenten Von der Leyen, e cila sipas tij, “rikthehet në Tiranë e palëkundur në mbështetjen e procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE”.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen ishte në Tiranë në kuadër të Forumit të parë të Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor” që zhvillon punimet në datat 13-14 tetor.
Ajo u prit nga Kryeministri shqiptar Edi Rama me një ceremoni zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ndërsa pati një takim edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. (13 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.