Fondi i Investimeve në Ballkanin Perëndimor koordinon financimin e segmentit të autostradës Adriatiko-Joniane

Fondi i Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), nisma e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe përfituesve, që synon të rrisë harmonizimin dhe bashkëpunimin në investime për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit, po koordinon financimin e segmentit të autostradës Adriatiko-Joniane, Murriqan – Lezhë, pjesë e rrjetit kryesor rrugor evropian (TEN-T).

Ky fond është nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe përfituesve, që synon të rrisë harmonizimin dhe bashkëpunimin në investime për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit.

Në vlerësimin e publikuar nga WBIF, kostoja totale e projektit vlerësohet 255,1 milionë euro, nga të cilat 127,9 milionë euro janë kredi, ndërsa për 100 milionë euro është aplikuar për grant nga qeveria shqiptare. Ndërkohë, qeveria shqiptare do të kontribuojë me 30,3 milionë euro.

Afati i përfundimit të këtij aksi të rëndësishëm është planifikuar viti 2029.

Autostrada Murriqan-Lezhë, rreth 70 kilometra në veriperëndim të Tiranës, do të ketë gjatësi prej 41 kilometrash. Kategoria e propozuar e projektimit është A, me shpejtësi 120 km/h./ (26 tetor) 

Korridori Blu në fazën e konkretizimit 

Projekti i Korridorit Blu ka hyrë më në fund në fazë konkretizimi.

Në segmentin Thumanë-Kashar, shumë pranë Tiranës, po vijon puna me ritme të shpejta dhe është realizuar mbi 40% e volumeve.

Muriqan-Lezhë është segmenti lidhës me Malin e Zi, për të cilin aktualisht konsulentët e Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) po hartojnë projektin paraprak, të cilin pritet ta dorëzojnë në dhjetor 2023.

Korridori Adriatiko-Jonian është pjesë e Rrjetit Kryesor të Rrugëve të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu pjesë e zgjatimit të Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili u miratua zyrtarisht në 2016-n.

Korridori Adriatiko-Jonian do të lidhë Evropën Qendrore dhe Italinë Veriore me pjesën joniane të Gadishullit Ballkanik nëpërmjet Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje- Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë.

Lidhja rrugore është planifikuar të shtrihet përgjatë bregut lindor të deteve Adriatik dhe Jon, që përfshin bregun perëndimor të Gadishullit Ballkanik nga Trieste në Kallamata.

Projekti është i përfshirë në portofolet e projekteve kombëtare shqiptare dhe malazeze dhe është një projekt prioritar i nivelit kombëtar dhe rajonal. Gjatësia e përgjithshme e vlerësuar e korridorit Adriatiko-Jonian nga Italia deri në Greqi është përafërsisht 1 550 kilometra./ (26 tetor)

Instituti Europian i Teknologjisë dhe Inovacionit me qendër rajonale në Shqipëri 

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur në takim me ekspertë të fushës minerare në Shqipëri se sektori po merr vëmendje të shtuar nga Bashkimi Evropian.

Ajo tha se Instituti Evropian i Teknologjisë së Inovacionit dhe Lëndëve të Para ka vendosur që të ngrejënë Shqipëri degën e tij rajonale dhe si vendndodhje qeveria shqiptare ka zgjedhur Elbasanin, 35 kilometra në juglindje të Tiranës.

“Ne do të kemi mundësi ta inaugurojmë atë brenda këtij viti”, tha Balluku.

Ajo informoi se, Qendra rajonale e Institutit Europian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para, do t’i japë një shkallë tjetër të gjithë organizmit, për sa i përket fondeve që Bashkimi Evropian do të vendosë në dispozicion të këtij projekti të madh duke i dhënë Shqipërisë mundësinë që të mos e bazojë industrinë minerare vetëm tek kromi, por të fillojë dhe të eksplorojë edhe materialet nëntokësore të tjera që janë me interes për tregun dhe nga ana tjetër duke i dhënë zhvillim njësive kërkimore./ (26 tetor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.