“Lidhja e lumenjve me zonat bregdetare dhe detet” ishte tema e aktivitetit të mbajtur në Tiranë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e qeverisjes mjedisore detare dhe bregdetare, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, partnerë ndërkombëtarë, bashki bregdetare, akademikë dhe ekspertë të mjedisit, të cilët theksuan rëndësinë e qeverisjes efektive detare jo vetëm për mbrojtjen e mjedisit, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ruajtjen e biodiversitetit dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve bregdetare.
I organizuar në kuadër të projektit “EU4Rivers”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), aktiviteti shënoi edhe prezantimin zyrtar të komponentit të ri detar, i cili synon të mbështesë Shqipërinë në zbatimin e ligjit të miratuar së fundmi për Strategjinë Detare dhe në avancimin e reformave në kuadër të Kapitullit 27 të BE-së (Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike).
Fjalët hapëse u mbajtën nga ministry shqiptar i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato dhe zëvendësambasadori i Austrisë, Martin Schaller.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, u shpreh se mbrojtja e lumenjve, deteve dhe natyrës kërkon vendosjen e standardeve të reja dhe përgjegjësi të përbashkët institucionale, duke theksuar se prezantimi i komponentit detar të EU4Rivers përkon me përgatitjen e planit kombëtar të koordinimit kundër ndotjes nga plastika.
Ambasadori Gonzato theksoi se mbrojtja e mjedisit detar është një investim i drejtpërdrejtë te njerëzit dhe ekonomia, duke nënvizuar se miratimi i Ligjit për Strategjinë e Mjedisit Detar përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ai shtoi se sfida kryesore mbetet zbatimi praktik i legjislacionit, për të arritur rezultate konkrete si ujëra më të pastra, ushqim më të sigurt dhe zhvillim të qëndrueshëm të zonave bregdetare.
Nga ana e tij, zëvendësambasadori i Austrisë, Martin Schaller, deklaroi se Austria mbetet e angazhuar në mbështetjen e Shqipërisë për ndërtimin e kapaciteteve afatgjata në qeverisjen detare dhe bregdetare, përmes lidhjes së institucioneve me shkencën, përmirësimit të monitorimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërsektorial.
Komponenti Detar zgjeron projektin EU4Rivers nga menaxhimi i baseneve ujore drejt një qasjeje gjithëpërfshirëse “nga burimi në det”, duke njohur ndërlidhjen mes ujërave të brendshme, zonave bregdetare dhe ekosistemeve detare, në përputhje me Direktivën Kuadër të BE-së për Strategjinë Detare.
Diskutimet u përqendruan në forcimin e njohurive shkencore, përmirësimin e sistemeve të monitorimit, rritjen e koordinimit institucional dhe qartësimin e roleve mes autoriteteve kombëtare dhe bashkive bregdetare. Në përfundim, pjesëmarrësit ranë dakord mbi hapat e ardhshëm dhe angazhimin e përbashkët për ndërtimin e një kuadri të qëndrueshëm për vlerësimin dhe qeverisjen detare në Shqipëri.
Projekti EU4Rivers (2023–2028) financohet nga Bashkimi Evropian me 8.5 milionë euro dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim me 1.9 milionë euro, duke u zbatuar në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Ministrinë e Mjedisit. (20 janar)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
