Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) në Shqipëri zgjodhi sot kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dalë nga reforma në drejtësi, në një mbledhje që mblodhi si vëzhgues një numër të madh diplomatësh të huaj.
Drejtuesi i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), u zgjodh Klodian Braho, i cili mori 7 vota. Braho u zgjodh mes 4 kandidatëve dhe do të ketë një mandat trevjeçar, duke zëvendësuar në këtë pozicion Altin Dumanin. I dyti me tri vota u rendit Adnan Xholi, Elvin Gokaj mori 1 votë, ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.
Mbledhja u organizua në praninë e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike, mes tyre e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Nancy Van Horn dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, përgëzoi drejtuesin e ri të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho pas zgjedhjes së tij në detyrë.
Gonzato, i cili ndoqi nga afër dëgjesat publike të katër kandidatëve për kreun e ri të SPAK, tha pas përfundimit të procesit se SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
“Kemi ardhur këtu për të treguar mbështetjen tonë për KLP-në në këtë detyrë të saj, por edhe për të treguar interesin tonë në procedurën e emërimit, kjo për arsye se SPAK luan një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kjo është një nga kërkesat kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Gonzato.
“Unë dje thashë se ne po kërkojmë një drejtues të këtij institucioni, të SPAK-ut, i cili do të vijojë punën e tij, dhe thamë se ajo që kërkonim të ishte një kandidat që të kishte nivele shumë të larta pavarësie, integriteti, rezistence në punë, standarde që kanë të bëjnë me përafrimin e Shqipërisë me BE-në”, vijoi Gonzato duke iu referuar deklaratave të një dite më parë në prag të mbledhjes së KLP për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK.
“Pres të punojmë ngushtë me të dhe ekipin e tij në muajt dhe vitet në vijim”, tha ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato duke përgëzuar Brahon për detyrën.
Puna e SPAK u përgëzua në progresraportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, ku theksohet se SPAK ka konsoliduar më tej rezultatet pozitive në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe ka bërë përparim të prekshëm drejt krijimit të një praktike të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit. (11 dhjetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
