Në Tiranë, kryeqytetin shqiptar, së shpejti pritet hapja e zyrës së Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, priti në Kryesinë e Kuvendit, ambasadorin e BE, Silvio Gonzato dhe drejtuesen e Zyrës së Përfaqësimit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, Tatiana Mrazikova.
Spiropali e cilësoi zyrën si “antena e Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor” dhe u shpreh se ajo është “një impuls i fuqishëm për integrimin dhe bashkëpunimin e vendeve të rajonit, si dhe për lidershipin e Shqipërisë në këto procese.”
Zyra e Përfaqësimit do të përshpejtojë dhe mbështesë proceset e integrimit, si dhe do të nxisë e fuqizojë ndërveprimin dhe mbështetjen e Parlamentit Europian me Kuvendin e Shqipërisë dhe parlamentet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në prill të këtij viti, u mbajt konferenca e Katërt Ndërqeveritare në Luksemburg, BE-Shqipëri, ku u çel një tjetër grup-kapitull negociatash për Tregun e Brendshëm.
Shqipëria pret të hapë brenda këtij viti dhe grup-kapitujt e fundit të negociatave, me synimin për të qenë gati për anëtarësim brenda vitit 2030.
Qeveria shqiptare, Kuvendi, sistemi i drejtësisë dhe të gjitha institucionet shqiptare kane riafirmuar angazhimin për të vazhduar me reformat evropiane për të përmbushur të gjitha kriteret e anëtarësimit.
Mbështetje integrimit të vendit në BE i ka dhënë edhe opozita në Shqipëri, ndërsa sipas eurobarometrit të fundit mbështetja për anëtarësimin në BE është e lartë në Shqipëri (91%). (4 shtator)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.