Brukseli – Si Qeveri jemi të gatshëm për dialog thelbësor me Bullgarinë, i cili duhet të përfundojë me tejkalimin e pengesave në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, duke mbrojtur interesat e të dy vendeve, deklaroi sot në Bruksel ministri për çështje evropiane Orhan pas takimit me komisionarin evropian për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varheji.
– Informova komisionarin Varheji për prioritetet e Qeverisë, si dhe për faktin se integrimi evropian i Republikës së Maqedonisë së Veriut është ndër prioritetet kryesore të vendit. Komisionari evropian më informoi se Komisioni Evropian dhe institucionet e Bashkimit Evropian e përshëndesin angazhimin e Qeverisë, veçanërisht shpejtësinë me të cilën u përpunua dhe u zbatua agjenda e reformës, të cilën unë personalisht e konsideroj si një nga arritjet më të mëdha të njëqind ditëve të para të Qeverisë, tha Murtezani për MIA.
Në takim u diskutua edhe për sfidat dhe pengesat në rrugën e vendit drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese.
– Ajo që është e rëndësishme për momentin është se Bashkimi Evropian qëndron fuqimisht pas Republikës së Maqedonisë së Veriut në gjetjen e një mënyre për të kapërcyer këtë mosmarrëveshje. E informova komisionarin se si Qeveri jemi të gatshëm për dialog thelbësor me fqinjin tonë Republikën e Bullgarisë, një dialog që ne e konsiderojmë të domosdoshëm dhe që duhet të përfundojë me tejkalimin e këtij problemi, duke mbrojtur interesat e të dy vendeve, shtoi Murtezani.
Murtezani dhe Varheji diskutuan edhe për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të të cilit janë parashikuar edhe fonde për vendet e rajonit për forcimin e kapaciteteve ekonomike dhe për zbatimin e reformave të caktuara të përcaktuara me agjendën e reformës.
– Bëhet fjalë për një agjendë reformash që së pari do të përgatisë institucionet tona dhe shtetin për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, por edhe për të bërë një dinamizëm të caktuar, domethënë forcimin e kapaciteteve ekonomike të vendit, theksoi ministri për çështje evropiane.
Ai kujtoi se bëhet fjalë për një kornizë financiare prej 750 milionë euro të parashikuara për vendin, nga të cilat 250 milionë në formë grantash dhe 500 milionë kredi me kushte të favorshme për realizimin e projekteve konkrete dhe për zbatimin e reformave.
– Duke pasur parasysh se agjenda e reformës aktualisht pret të miratohet nga Komisioni Evropian, domethënë nga Komiteti IPA, nëse kjo përfundon deri në fund të muajit, mbetet për ne në Kuvend të ratifikojmë Marrëveshjen e Huamarrjes dhe Instrumentit për Rritje dhe Reforma, pas së cilës do të pasojë pagesa e parë urgjente e këstit. Sipas vlerësimeve tona, është e mundur që kjo të ndodhë në tetor ose fillim të nëntorit, potencoi Murtezani. (4 shtator)