Shkupi – Shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, Mihalis Rokas në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin për çështje evropiane Orhan Murtezani theksoi se Maqedonia e Veriut do të marrë mbështetjen e BE-së dhe mban një nivel të lartë ambicieje për të ecur drejt negociatave të pranimit, por për të avancuar procesin duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese, me qëllim që në Kushtetutë të përfshihen qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët, dhe në të cilën është dakorduar se do ta bëjë.
Sipas tij, struktura e Raportit të KE-së është e tillë që të jetë më e lehtë për t’u lexuar, ndaj marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi dhe miqësi janë në faqen e saj të parë.
– Nuk ekziston një arsye tjetër, thjesht është që të gjithë të përqendrohen në elementet thelbësore ku ne japim rekomandimet tona që të jetë më e lehtë për t’u lexuar dhe më pas të gjithë të kalojnë në faqet e tjera për të parë se çfarë në të vërtetë kemi analizuar. Natyrisht, nuk duhet të thuhet se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimi rajonal mbeten si një element thelbësor i procesit të zgjerimit, tha Rokas në përgjigje të pyetjes nëse fakti që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë në faqen e parë të Raportit të KE-së, do të thotë se vendi nuk i përmbush mjaftueshëm marrëdhëniet me fqinjët.
Rokas kujtoi se gjatë vizitës së Shkupit muajin e kaluar, presidente e KE-së, Ursula von der Leyen dha një mesazh të qartë se “kemi një qëllim të qartë që Klasteri “Vlerat Themelore” të hapet sa më shpejt të jetë e mundur”.
– Përafërsisht kemi arritur deri atje. E dimë se bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese të cilat vendi juaj është i angazhuar të zbatojë. Tani nevojiten përpjekje të përbashkëta, bashkëpunim dhe dialog dhe shpresojmë se të gjitha palët politike në vend do të bashkohen dhe do të ndërmarrin këtë hap vendimtar përpara. Ajo është e sigurt, ashtu siç tha kryeministri se mund t’i kapërcejmë pengesat që ekzistojnë, tha Rokas. (1 nëntor)