Shqipëria pret vlerësimin e parë brenda Planit të Rritjes ekonomike të Bashkimit Evropian, ndërsa janë nënshkruar dhe miratuar të gjitha dokumentet e nevojshme ligjore.
Drejtori i Bashkëpunimit në delegacionin e BE në Tiranë, Dr. Hubert Perr u shpreh në një intervistë në televizionin publik shqiptar se deri më tani nga plani i rritjes janë parafinancuar 7 për qind, që do të thotë se Shqipërisë i janë alokuar tashmë 64 milionë euro.
“30 milionë euro janë shpërndarë tashmë në Shqipëri, ndaj mendoj se është lajm i mirë paradhënia. Aktualisht jemi duke i vlerësuar këto reforma dhe më lejoni të mos mbaj asnjë pozicion për një proces në vazhdim, por sigurisht, ajo që kemi parë deri tani nga Shqipëria është se ka treguar një nivel të lartë përgjegjësie dhe ka përqafuar Mekanizmin e Reformave dhe Rritjes”, nënvizoi ai.
Për këtë arsye, sipas Perr, “presim gjithashtu që Shqipëria t’i ketë bërë detyrat e shtëpisë dhe të ketë raportuar me zell për reformat që duhen bërë dhe janë bërë”.
“Mendoj se Shqipëria do të dalë mirë në vlerësimin e saj të parë,” u shpreh zyrtari BE-së në Shqipëri.
Ndarja e 922 milionë eurove që BE-ja i jep Shqipërisë për tre vjet adreson, sipas Dr. Perr, afrimin e investitorëve të mëdhenj në rajon si pjesë e tregut me mbi 300 milionë konsumatorë.
“Asnjë investitor i madh nga Evropa apo gjetkë nuk do të vijë këtu për të thënë se do të futem në këtë treg prej 2.4 milionë banorësh. Jo! Bëhet fjalë për 300 e plus miliona njerëz që Evropa mund të ofrojë dhe kjo mendoj se është bukuria e kësaj situate të favorshme për të gjithë, që mund të ofrojmë tani dhe mund të ofrojmë në vitet përpara se Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian,” shtoi Dr. Perr.
Në vlerësimin aktual të Bashkimit Europian, gjashtë vendet e rajonit kanë një zhvillim ekonomik sa vetëm rreth 35 për qind e shteteve anëtare të BE-së, gjë që planifikohet të ndryshojë shpejt dhe në mënyrë transformuese. (5 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.