Parisi – Kreu i Bankës së Francës, François Villeroy de Galhau, ka shprehur keqardhje për përshkallëzimin e tensioneve tregtare pas kthimit në pushtet të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, dhe shtimin e njoftimeve për barriera doganore.
«Ajo që po ndodh në Shtetet e Bashkuara» është «një lajm shumë i keq, fillimisht për ekonominë amerikane», tha ai të premten në radio France Inter.
«Vizioni i ekipit Trump për ekonominë, është disi si në lojën e Monopolit. Do të thotë që ajo që fiton njëri, është patjetër ajo që humbet tjetri», shprehu guvernatori, për të cilin «ekonomia, nuk është kjo».
«Ekonomia është që ne krijojmë mirëqenie së bashku, sepse shkëmbejmë talente, ide, produkte, inovacione. Të gjitha këto janë ato prej të cilave po privohemi», shprehu keqardhje François Villeroy de Galhau.
«Ndërkohë që ekonomia po shkonte shumë mirë në fillim të vitit, disa jo vetëm që po rishikojnë parashikimet e tyre për rritjen ekonomike amerikane por po fillojnë të flasin për recesion në Shtetet e Bashkuara», vëren bankieri. (14 mars 2025)