Bruksel – Darka e punës e takimit të së enjtes të Këshillit Evropian në Bruksel kaloi në shenjë të debateve të para për përgatitjen e Kornizës së Shpenzimeve Shumëvjeçare (KSHSH) të BE-së për vitet 2028 – 2035. Këtë e konfirmoi kryeministri i RS Robert Fico (Smer-SD) pas përfundimit të bisedimeve. Sipas tij, Sllovakia do të dëshirojë para së gjithash që të ruhet politika e kohezionit dhe barazimi i pagesave për fermerët, njofton korrespodenti i TASR.
Fico kujtoi se kryetari i Këshillit Evropian António Costa i tërhoqi vëmendjen pjesëmarrësve të samitit se bëhet fjalë vetëm për diskutime joformale për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së. Edhe për këtë arsye nuk u diskutua për ndonjë fond të caktuar financiar apo për të ashtuquajturat “vijat e kuqe” të shteteve anëtare.
Kryeministri konstatoi se KSHSH pas vitit 2027 duhet të marrë parasysh shlyerjen e kredive me vlerë totale prej 750 miliardë euro, të cilat BE i krijoi përmes planit të rimëkëmbjes së BE për gjeneratën e ardhshme (NGEU). Kjo do të nënkuptojë çdo vit 20 deri në 30 miliardë euro. Gjithashtu KSHSH do të duhet të përkujdeset për shpenzime më të larta për mbrojtje dhe zgjerimin e BE, respektivisht pranimin e mundshëm të shteteve të reja anëtare, për të cilat gjithashtu do të marrë parasysh shpenzimet nga buxheti i përbashkët.
“Kryetarja e Komisionit Evropian dëshironte të dëgjonte mendimet e para dhe pas kësaj në qershor do të paraqesë propozimin e parë të buxhetit afatgjatë për diskutim,” sqaroi Fico.
Në pyetjen e TASR se cilat do të jenë prioritetet e qeverisë sllovake kur do të diskutohet për rritjen apo shkurtimin e kapitujve të buxhetit të KSHSH, kryeministri vuri në dukje se shkoi në samit me mandatin e Komitetit të NR SR për çështje evropiane dhe të jashtme. Sipas tij, duhet të flitet për kohezion në lidhje me këtë temë, në mënyrë që politika e kohezionit në favor të zhvillimit të rajoneve të mos zvogëlohet dhe gjithashtu për mbrojtjen e nevojave të fermerëve sllovakë në kuadër të politikës së përbashkët bujqësore.
“Këto janë dy objektivat bazë që ne ndjekim sa i përket buxhetit. Nuk dua të flas tani për vijat e kuqe, ende nuk i njohim ato numra, nuk e dimë ku do të përfundojë. Pagesat e drejtpërdrejta në Sllovaki janë në nivelin e 80 për qind nga mesatarja në BE. Çdo vend që ka pagesa më të ulëta përpiqet t’i rrisë ato dhe gjithmonë gjendet një mekanizëm kompensimi,” shtoi kryeministri sllovak. (21 mars)