Strumica – Maqedonia e Veriut së bashku me Portugalinë, Spanjën, Italinë, Holandën, Gjermaninë dhe Greqinë po punojnë në një projekt trevjeçar për njohuritë në tranzicionin e gjelbër dhe dixhital “SEBCoVE-Smart Electricity for Buildings”, i financuar nga Komisioni Evropian me një buxhet total prej 3,7 milionë euro.
Sipas drejtorit të Qendrës për Zhvillimin e Rajonit Juglindor, Gjoko Kamçev, në projekt janë përfshirë 19 partnerë, prej të cilëve 16 janë nga vendet anëtare të BE-së dhe tre nga vendi ynë.
– Ky projekt ka për qëllim të na japë një drejtim në kuadër të efikasitetit energjetik dhe energjisë elektrike inteligjente për ndërtesat. Me projektin deri në fund të vitit do të hapet një Qendër për Trajnim, gjegjësisht për Përsosmëri Profesionale, e cila do të ndodhet në kuadër të Rajonit Planifikues Juglindor dhe në të do të zhvillohen trajnime për kompani, nxënës dhe studentë dhe do të angazhohen ekspertë për të inkurajuar se si objektet, në publik dhe në sektorin privat, të ndërtohen dhe të jenë më të sigurta, deklaroi Kamçev në fjalën e tij në panelin në Strumica, ku morën pjesë edhe organizatat partnere të projektit SEBCoVE – Qendra për Zhvillimin e Rajonit Planifikues Juglindor, Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Emkice KIC, si dhe kryetarë dhe biznesmenë nga rajoni.
Për Ilija Vuçkov, drejtor i Emkice KIC, është mirë që në projekt janë përfshirë partnerë nga tre sektorë – publiku, privat dhe akademik.
– Projekti ndihmon të rriten njohuritë dhe aftësitë për teknologjitë e reja që janë tashmë në treg. Për ne është shumë e rëndësishme që të përfshihet edhe komuniteti akademik në qendrën e trajnimit në Rajonin Planifikues Juglindor për arsye të edukimit dhe certifikimit të të rinjve për punësimin e tyre të mëtejshëm. Me këtë ata janë kadër që mund të gjejnë punësim kudo, por ne dëshirojmë ata të mbeten këtu, tha Vuçkov.
Bashkëpunimi tripalësh i sektorit akademik, publik dhe privat është një kornizë konceptuale që përfaqëson ndërveprimin dhe integrimin e tre komponentëve kyçe: edukimi, hulumtimi dhe inovacioni. Ky model thekson ndërlidhjen dhe forcimin e ndërsjellë të këtyre elementeve për të nxitur rritjen ekonomike, përparimin shoqëror dhe krijimin e një ekonomie të bazuar në njohuri. (27 mars 2025)