“`html
Investime mbi 5 miliardë euro në burime të ripërtëritshme të energjisë, ndër-lidhje elektrike dhe infrastrukturë ujore në ishuj, si dhe lehtësim të faturave të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët nga reduktimi gradual i tarifave për Shërbimet Publike do të jenë rezultatet e funksionimit të Fondit të Decarbonizimit të Ishujve. Marrëveshja për krijimin e Fondit u nënshkrua në Naxos, në prani të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Fondi përfshin kapitalin prej 1.6 miliardë euro që me levë të burimeve private do të financojë investime mbi 5 miliardë euro në tre sektorë:
1.Ndërlidhjet e ishujve të Egeusit Verior dhe Dodekanezëve, që zbatohen nga ADMIE si dhe të ishujve të vegjël (Kymi, Patmos, Kythnos, Amorgos) nga DEDDIE.
2.Punët e energjisë diellore dhe magazinimit të energjisë nga familjet dhe ndërmarrjet (fotovoltaikë, bateri, pompim, era offshore, rezervuaret për magazinim të ujit dhe prodhimin e energjisë). Për 6 ishujt më të mëdhenj që nuk janë të lidhur (Rodos, Kos, Kalymnos, Samos, Chios dhe Lesvos) do të shpallen konkurse më 2025 për instalimin e njësive të energjisë diellore në kombinim me bateritë.
3.Infrastrukturë për karikimin e automjeteve elektrike dhe kryesisht furnizimin elektrik të anijeve të mëdha (cold ironing) që afrojnë në portet e ishujve.
Ndërsa fliste në ngjarjen, ministri i Mjedisit dhe Energjisë Thodoros Skylakakis theksoi se për të përballuar krizën klimatike nevojitet shumë energji dhe e lirë, një qëllim që shërben fondi i ri, i cili gjithashtu përmirëson konkurrencën e ishujve dhe të ekonomisë e tërë të Greqisë. Ai vuri theksin në avantazhin e Greqisë për kalimin në energjinë e gjelbër që do të thotë se sistemi elektrik grek operon si një lloj “eksperimentale” me penetrimin e lartë të energjisë diellore dhe theksoi se me përfundimin e punëve ishujt greke do të jenë ndër të rrallët në botë që do të kenë “shenjën e gjelbër” me çka nënkupton kjo për atraktivitetin e tyre si destinacion turistik. Siç vuri re, vendasit do të përjetojnë përfitimin në jetën e tyre të përditshme por gjithashtu edhe në faturën e energjisë elektrike.
Zëvendësministrja Alexandra Sdoukou përmendi një “Fond të vogël të Rimëkëmbjes” duke vënë në dukje se mjeti i ri financiar është krijuar ekskluzivisht për ishujt grekë. “Ne përmirësojmë, tha ajo, gjithsej cilësinë e jetës së ishujve dhe miliona vizitorëve”. Ajo vlerësoi përfitimin e konsumatorëve nga reduktimi i Shërbimeve Publike në 2,2 miliardë për Dodekanezët dhe 1.6 miliardë nga V. Egeu gjatë një periudhe 25-vjeçare me lidhjet që pritet të përfundojnë në 2029.
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Maros Sefčovič vlerësoi se shuma që mund të sigurojë vendi ynë nga shitja e të drejtave të emetimit të ndotësve (është burimi kryesor i financimit të Fondit) mund të arrijë në 2 miliardë euro. Ai vuri theksin në rëndësinë e projekteve për përballimin e thatësirës në ishuj dhe theksoi se BE pret menjëherë propozimet për projektet që do të përfshihen.
Zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane të Investimeve Giannis Tsakiris përmendi se marrëveshja dëshmon përkushtimin e Evropës, si dhe të Greqisë për kalimin në energjinë e gjelbër dhe përbën një gur themeli për bashkëpunimin e vendit tonë me BEI i cili ka dhënë gjithsej 50 miliardë euro për më shumë se 400 projekte në tërë vendin.
Përshëndetje në ngjarje dha Guvernatori i Rajonit Jugor të Egjeut George Chatzimarkos i cili foli për planin dhe vullnetin politik të kryeministrit për zbatimin e grupit më të madh të projekteve të infrastrukturës në ishuj, si dhe Kryetari i Bashkisë së Naxos Dimitris Lianos që theksoi nevojën për ekuilibër midis zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së ambientit. (21/11/2024)
K. Voutsadakis
“`