Trashëgimia kulturore është identitet i përbashkët, urë për të kaluarën dhe një udhërrëfyes për të ardhmen. Megjithatë, ajo përballet me kërcënime të vazhdueshme nga trafikimi i paligjshëm, vjedhja dhe eksportet ilegale të objekteve të trashëgimisë kulturore.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë dhe UNESCO nëpërmjet mbështetjes së tyre adresuan këtë sfidë përmes një trajnimi të specializuar për profesionistët e gjyqësorit në Shqipëri.

Kjo nismë, pjesë e projektit të financuar nga BE-ja “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pronës kulturore në Ballkanin Perëndimor”, synon të rrisë kapacitetet institucionale, të forcojë kuadrin ligjor dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal për të mbrojtur thesaret kulturore shqiptare.

I pranishëm në aktivitet, Hubert Perr, shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri foli në lidhje me këtë projekt.

“Sot ne tregojmë angazhimin tonë të përbashkët për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore – një pasuri e paçmuar që përcakton historinë, identitetin dhe kujtesën tonë kolektive. BE-ja do të mbetet partneri i besuar i Shqipërisë dhe i këtij rajoni kur bëhet fjalë për forcimin e shtetit ligjor dhe rajonal,” theksoi Perr.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka dhënë mbështetje për trashëgiminë kulturore shqiptare, materiale dhe shpirtërore përmes disa projekteve. Përmes EU4Culture, mes të tjerash, janë ripërtërirë vendndodhje të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike sikundër edhe u rikonstruktua Muzeu Etnografik i Kavajës. (22 janar)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.