Sarajevo, (Fena) – Në Sarajevë është prezantuar zyrtarisht mjet online i quajtur “Qasja në informata”. Platforma mundëson krijimin e kërkesave për qasje të lirë në informata për të gjitha institucionet në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Mjeti, i disponueshëm në adresën qasjeainformatave.ba, përveç procesit të automatizuar dhe intuitiv të krijimit të kërkesave, u mundëson qytetarëve, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile të përgatisin dhe dërgojnë urgjenca dhe ankesa dhe të marrin kujtesa për afatet për çdo hap të procesit të marrjes së informacioneve me interes publik.
– Qëllimi i këtij mjeti, zhvillimi i të cilit është mbështetur nga Bashkimi Evropian, është forcimi i qasjes në informata, me çka jo vetëm që përmirësohet transparenca e pushtetit publik, por edhe shkalla e pjesëmarrjes së qytetarëve në punën e institucioneve. Kjo është parakusht themelor për demokraticitetin, hapjen dhe përgjegjësinë e institucioneve – ka deklaruar Aurelie Valtat, shefe e Departamentit për Integrime të BE-së, çështje politike, media dhe informacion pranë Delegacionit të BE-së në BiH – njoftoi Transparency International BiH.
Qasja në informata përdor një ndërfaqe intuitive dhe të thjeshtë që udhëheq përdoruesit nëpër çdo hap të krijimit të kërkesës për qasje të lirë në informata, dhe përmban emrat dhe adresat e disa mijëra institucioneve publike, organeve, ndërmarrjeve dhe institucioneve në të gjitha nivelet e pushtetit në Bosnjë dhe Hercegovinë të cilave qytetarët mund t’u drejtohen.
– Dëshira jonë ishte t’u ofrojmë qytetarëve një mënyrë të thjeshtë dhe intuitive që të krijojnë vetë kërkesën, në mënyrë që nga organet të marrin informatat që i interesojnë, sepse kjo është një nga të drejtat themelore që garantohet me ligjet për qasje të lirë në informata – ka deklaruar Marko Vujić, bashkëpunëtor për ofrimin e ndihmës juridike në Transparency International në BiH (TIBiH), i cili, së bashku me shoqatën Të Drejtat Tuaja BiH (VPBiH), ka zbatuar këtë projekt.
Është e nevojshme të theksohet se Qasja në informata mundëson përgatitjen e kërkesave për të gjitha organet publike në BiH, duke zgjedhur automatikisht ligjin adekuat në varësi të nivelit dhe juridiksionit të institucionit nga i cili kërkohen informatat, çka lehtëson më tej vetë procesin duke qenë se në Bosnjë dhe Hercegovinë aktualisht ekzistojnë madje tre ligje që rregullojnë këtë fushë. (31.01.)