Komisioni Evropian ka nisur një konsultim publik të hapur për të ardhmen e industrisë automobilistike evropiane, me qëllim që të ndihmojë prodhuesit evropianë përballë konkurrencës kineze.
Bëhet fjalë për Dialogun Strategjik për të Ardhmen e Industrisë Automobilistike në Evropë, i cili ka filluar dhe do të zgjasë deri më 13 Shkurt dhe ka si synim bashkëpunimin midis faktorëve evropianë të industrisë automobilistike, partnerëve socialë dhe të tjerë të interesuar për të zhvilluar një kuptim të përbashkët të sfidave më kritike dhe zgjidhjeve të mundshme për t’i kthyer ato në veprim.
Rezultatet e këtij konsultimi do të përbëjnë bazën për planin e veprimit industrial të BE në fushën e industrisë automobilistike, i cili do të prezantohet më 5 Mars nga Komisioneri i Transportit të Qëndrueshëm dhe Turizmit, Apostol Tzitzikostas. Ky plan “do të përcaktojë një rrugë të qartë për të siguruar që industria jonë mund të lulëzojë në Evropë dhe të konkurrojë me sukses në skenën globale”, theksoi Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen. Industria automobilistike përfaqëson mbi 13 milion vende pune dhe rreth 7% të Produktit të Brendshëm Bruto të BE.
Të enjten, më 30 Janar, Presidentja e Komisionit Evropian thirri liderët kryesorë të industrisë evropiane, partnerët socialë dhe palë të interesuara për të nisur Dialogun Strategjik për të Ardhmen e Industrisë Automobilistike Evropiane. “Ky dialog shënon fillimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues me synim adresimin e sfidave kritike që përballet sektori dhe sigurimin e suksesit të vazhdueshëm si një motor kryesor i ekonomisë evropiane”, deklaroi Ursula von der Leyen. Në këtë Dialog morën pjesë rreth njëzet faktorë të sektorit, përfshirë: Shoqatën Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), Organizata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC), automjetet BMW, Daimler Truck, Renault, Volkswagen, Iveco, Traton dhe Volvo, si dhe Shoqatën Evropiane të Furnizuesve të Automjeteve (CLEPA) dhe Federatën Evropiane të Punonjësve të Transportit (ETF).
Përveç Komisionerit të Transportit Grek, Ap. Tzitzikostas, katër Komisionerë të tjerë do të drejtojnë diskutimet për çështjet kryesore që prekin të gjithë zinxhirin e vlerës së industrisë automobilistike. Komisioneri për Klimën, Wopke Hoekstra, do të fokusohet në Tranzicionin e Pastër në industrinë automobilistike dhe Komisioneri për Strategjinë Industriale, Stephane Sejourne do të merret me Zinxhirin e Vlerës Industriale për sektorin. Nënkryetarja e Komisionit, përgjegjëse për Sovranitetin Teknologjik dhe Dixhital, Henna Virkkunen do të mbikëqyrë diskutimet për Inovacionin Teknologjik dhe Dixhital, ndërsa Nënkryetarja Ekzekutive për të Drejtat Sociale, Roxana Minzatu do të drejtojë në çështjet e Aftësive dhe Çështjeve Sociale të sektorit.
Komisioni Evropian kërkohet të pajtojë ambiciet mjedisore të BE dhe thirrjet për ndihmë nga industria automobilistike evropiane që përballet me gjoba, nëse nuk përmbush synimet për uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit (CO2). Komisioni premtoi “fleksibilitet” me synimet mjedisore për industrinë automobilistike të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe vendeve të tjera anëtare, të cilat preken rëndë nga konkurrenca kineze. Në të njëjtën kohë, rikthimi i Donald Trump në pushtet në Shtetet e Bashkuara ngre frikën për një shpërthim të tarifave doganore mbi automjetet evropiane.