Shkup – Është me të vërtetë e nevojshme të jepet fund konfliktit në Ukrainë, por ka edhe një temë më të rëndësishme, dhe kjo është vlera që sot i japim në Evropë integritetit territorial, respektimi i sovranitetit, imperializmi i një fqinji ndaj një fqinji tjetër, deri në atë masë sa që mohohet ekzistenca e tij, identiteti dhe gjuha, gjë që kërkon një përgjigje unike evropiane, tha sot ambasadori francez në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigoler.
Ai, duke iu përgjigjur një pyetje gazetareske nëse “pozicionimi i vendit në lidhje me rezolutat e OKB-së mund të ndikojë në rrugën eurointegrative”, tha se vendimi i vendit në lidhje me votimin për rezolutat për Ukrainën në Kombet e Bashkuara ishte i papritur.
– Synimi i sotëm i diplomacisë evropiane, qëllimi i secilit prej nesh, është të kemi të njëjtin qasje të përbashkët që do të sigurojë sigurinë e kontinentit në vitet e ardhshme, dekadat e ardhshme për ne dhe fëmijët tanë, tha ambasadori Le Rigoler në konferencën për shtyp me rastin e prezantimit të Programit për përvjetorin e këtij viti të festimit të Frankofonisë.
I pyetur për vlerësimin e zhvillimeve aktuale në drejtësi në vend në lidhje me propozimin për shkarkimin e prokurorit të shtetit dhe për interpelacionin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, Le Rigoler tha se BE-ja dhe vendet anëtare mbështesin reformat në drejtësi, sepse pavarësia e drejtësisë është një nga çështjet më të rëndësishme për anëtarësimin në Union.
– E dini kjo është çështje që i përket politikës së brendshme, nuk është e jona të komentojmë. E megjithatë do të them se tema e pavarësisë së drejtësisë nuk është asfare sekret, ato janë çështje thelbësore kapitale që janë më të rëndësishmet për hyrje në BE, çështje që janë të rëndësishme për Unionin dhe kjo përsëritet vazhdimisht, tha Le Rigoler.
Maqedonia e Veriut dhe Armenia ishin të vetmet vende evropiane që të hënën u abstenuan nga votimi kur u miratua Rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me të cilën dënohet agresioni rus ndaj Ukrainës. Të gjitha vendet e tjera evropiane, përveç Rusisë, Bjellorusisë dhe Hungarisë që votuan kundër, e mbështetën Rezolutën. (26 shkurt)