Pothuajse 90 vite pas bombardimit e shkatërrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë së bashku me BERZH po investojnë në restaurimin e një prej monumenteve më të veçanta në Shqipëri, Manastiri i Shën Pjetrit dhe Shën Pavlit në Vithkuq.
Bashkimi Evropian solli pamje nga manastiri ndërsa bëri të ditur se së shpejti vizitorët do të mund të vizitojnë dhe shijojnë afreske mbresëlënëse si dhe rrënoja që mbartin histori.
Ndërhyrjet e kryera janë kryesisht restaurime si dhe gërmime për të nxjerrë rrënojat e vjetra. Sipas drejtueses së punimeve, Majlinda Gjonaj pjesa e Konakëve siç quhej, është shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ndërsa sipas shefit të Bashkëpunimit të delegacionit të BE-së, Hubert Perr, restaurimi i kishës do të shtojë një aset më shumë për turizmin ndërsa investimet në infrastukturë sjellim më shumë mundësi për turistët që të vizitojnë destinacione të bukura.
Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit gjendet mbi një kodër në verilindje të fshatit Vithkuq. Nga godinat e manastirit ka mbetur vetëm kisha e “Shën Pjetrit dhe Pavlit”, sepse konakët e manastirit janë shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Konakët e manastirit kanë qenë dy dhe trikatëshe dhe shtriheshin në tri anët e oborrit të brendshëm, i cili kishte sipërfaqe rreth 200 metra katrore. Anash tij në formën e shkronjës “U” gjendeshin rreth 40 qela banimi. Ndërsa në katin e dytë të konakëve gjendej biblioteka, ku ruheshin dorëshkrime me vlerë rreth historisë së Korçës dhe Voskopojës.
Kisha përbëhet nga naosi dhe një portik përpara hyrjes kryesore. Kisha është e tipit bazilikë trinefëshe me kupolë. Ajo u ndërtua rreth vitit 1759-1764.
Në përfundim të saj, kisha u pikturua prej piktorëve Kostandin e Athanas Zografi. Ndërsa ikonostasi është pikturuar në vitin 1748 nga Kostandin Shpataraku. (15 janar)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.