14,6 milionë euro në ndihmë të Shqipërisë për të zvogëluar mbetjet

Projekti “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Ekonomia Qarkulluese për Zhvillimin Urban të Qëndrueshëm” do të mbështesë transformimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë dhe zbatimin e strategjive të Kapitullit 27 – mjedisit, në përputhje me direktivën e BE-së, duke shërbyer si një shembull për të gjithë rajonin dhe më gjerë.

Kështu deklaruan autoritetet ndërsa paraqitën projektin e ri. Palë në projekt janë Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të projektit të ri ishin ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ambasadori gjerman në Shqipëri, Karlfried Bergner.

Ata vlerësuan projektin e ri, i cili do të kontribuojë në zbatimin e standardeve evropiane mjedisore dhe parimet e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri. Me një kohëzgjatje 3.5 vite dhe financim 14.6 milionë euro, projekti do të ndihmojë Shqipërinë të zvogëlojë mbetjet dhe të kalojë drejt modelit të ekonomisë qarkulluese.

Bashkimi Evropian është partneri më i rëndësishëm i Shqipërisë në fushën e zhvillimit, duke ofruar më shumë se 100 milionë euro çdo vit asistencë përmes granteve, për të mbështetur qytetarët shqiptarë dhe për të ndihmuar Shqipërinë të përshtasë dhe të zbatojë reformat politike, institucionale, shoqërore dhe ekonomike për t’u përafruar me vlerat e BE-së dhe rregullat e saj./ (16 nëntor)

Soreca: SPAK të krijojë historik të qëndrueshëm kundër pandëshkueshmërisë

I ngarkuari me punë i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Soreca i cili përfundoi detyrën në Tiranë u shpreh në një intervistë se SPAK po zbaton mandatin e vet dhe këtë po e bën duke shqyrtuar rastet e nivelit të lartë të korrupsionit. Ai njohu faktin se ka pasur edhe dënime të para të nivelit të lartë kohët e fundit, të ish-ministrave.

“Mendoj se është e rëndësishme që puna të vazhdojë plotësisht, me drejtim të qartë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kuptojnë se reforma shumë serioze që është bërë që prej vitit 2016 në fushën e drejtësisë po sjell vërtet rezultate”, u shpreh Soreca. Ai ftoi SPAK-un dhe gjithë autoritetet e drejtësisë të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim për të krijuar një historik të qëndrueshëm për të luftuar kulturën e mosndëshkimit pa trysni politike dhe pa ndërhyrje.

Ai shtoi se hetimi financiar duhet të vazhdojë për të qenë një nga objektivat e veprimit të autoriteteve të drejtësisë, sepse është vërtetuar se kjo është rruga e ardhshme.

“Unë përdor fjalët “Ndiq paratë”, sepse kjo vjen nga përvoja e mëparshme, por mendoj se është shumë e rëndësishme që ky proces të jetë i qëndrueshëm dhe të vazhdojë në periudhën afatgjatë”, u shpreh Soreca./ (16 nëntor)

Holzner: Planifikimi korrekt i anëtarësimit ndihmon sipërmarrësit

Banka Austriake ka një pozicion dominues në tregun shqiptar, tipike për aktivitetet austriake në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore ndërsa ka sipërmarrës austriakë që shohin me interes edhe sektorin e energjetik në Shqipëri.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Mario Holzner, Drejtues Ekzekutiv i Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë, theksoi se Shqipëria dhe Austria kanë marrëdhënie të forta ekonomike, por edhe historike, që nga krijimi i shtetit shqiptar dhe deri në ditët e sotme.

Sipas Holzner, Procesi i Berlinit është një iniciativë pozitive, por duhet të prodhojë rezultate konkrete sa i takon integrimit në BE, duke caktuar afate kohore të sakta, çka do sillte orientim më të mirë të investimeve.

“Duhet një planifikim sa më korrekt i procesit të anëtarësimit, pasi kështu edhe sipërmarrësit do të ishin edhe më të qartë për të ardhmen e rajonit”, tha Holzner./ (16 nëntor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.